Milani shton marshin për Granit Xhakën, Leverkuseni ndez dritën jeshile

Mesfusha është prioriteti absolut për Milanin e Allegrit dhe duket se pistat konkrete kanë nisur të marrin formë.

Në qendër të skenës është Granit Xhaka, kapiten i Zvicrës dhe një prej liderëve të Bayer Leverkusenit, për të cilin vetë klubi gjerman është i gatshëm të negociojë largimin.

Sipas medieve gjermane, Leverkuseni është i hapur për transferimin e 33-vjeçarit për një shumë që varion mes 8 dhe 10 milionë euro, pikërisht aq sa është i gatshëm të paguajë Milani.

Më herët, kërkesa prej 15 milionësh e bënte marrëveshjen të vështirë, por lëvizjet e fundit tregojnë se marrëveshja po hyn në një fazë konkrete.

Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se përforcimi i mesfushës është kyç për projektin e ri: “Po kërkojmë role specifike për të rritur cilësinë e lojës, siç e kërkon edhe trajneri Allegri,” – u shpreh ai.

Vendosmëria për të sjellë Xhakën në “Milanello” është e qartë, dhe zbutja e qëndrimit të Leverkusenit është një sinjal pozitiv.

Ndërkohë, edhe familja e futbollistit mbështet këtë hap. Babai i Granitit, Ragip Xhaka, u shpreh për mediet në Kosovë: “Tare është një drejtues që e vlerësoj shumë.

Milani e do Granitin, por kushtet e marrëveshjes u takojnë klubeve.”

Në ditët në vijim pritet të shihet nëse kjo hapje do të pasohet nga një ofertë zyrtare nga Milani dhe nëse operacioni do të përmbyllet me sukses.

Për një Milan që kërkon identitet dhe përvojë, Xhaka do të ishte një element kyç, jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes, duke sjellë lidership dhe mentalitet fitues.