Ylber Ramadani drejt Arabisë Saudite? Aberdeen mund të përfitojë nga shitja e mesfushorit kuqezi
Ylber Ramadani mund të sjellë një përfitim të madh financiar për ish-klubin e tij, Aberdeen, nëse realizohet transferimi i tij nga Lecce drejt Arabisë Saudite.
Sipas medieve italiane, mesfushori i kombëtares shqiptare është në radarin e skuadrës Al-Ain, që ka nisur kontaktet me klubin italian për një marrëveshje të mundshme.
Ramadani ka luajtur 63 ndeshje në Serinë A në dy sezonet e fundit, duke qenë një element kyç për Lecce-n në luftën për mbijetesë.
Më herët, në maj, ai shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Torinos, që ndihmoi klubin nga Apulia të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit italian.
Sipas ‘Pianeta Lecce’, Al-Ain është i gatshëm t’i ofrojë Ramadanit një pagë vjetore prej 1.2 milionë eurosh (rreth 1 milion paundë), që përkthehet në afërsisht 19,230 £ në javë.
Kjo lëvizje potenciale është me interes të madh për drejtuesit e Aberdeen, pasi skocezët kishin ruajtur 10% të vlerës kartonit në marrëveshjen e shitjes së Ramadani-t te Lecce për 1.1 milionë paundë në gusht të vitit 2023.
Në rast se transferimi drejt Arabisë realizohet, Aberdeen do të përfitojë direkt nga kjo klauzolë.
