Mbledhje urgjente te Barça për Niko Uilliams, katalanasit janë të detyruar ta blejnë “pa këste”

Barcelona është në luftë me kohën për të siguruar sa më shpejt Niko Uilliams. Anësori i sulmit i Atletiko Bilbaos dhe Spanjës ka pranuar transferimin te kalatalansit dhe ka një akord për një marrëveshje 6-vjevçare me ta. Por transferimi nuk do të jetë i thjeshtë.

Për të siguruar sulmuesin, Barcelona duhet të paguajë klauzolën e largimit të tij nga Atletik Bilbao, që nuk ka ndër mend të heqë dorë lehtë nga futbollisti. Një shifër që arrin deri në 62 milionë euro dhe që përbën një pengesë shumë të madhe për katalanasit që janë në vështirësi financiare.

Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Atletiko nuk ka ndër mend të pranojë pagesa me “këste” për futbollistin dhe sipas marrëveshjes, insiston që të paguhet klauzola e plotë për të. Kësisoj, Barcelona nuk mund të shtrijë në vite këtë pagesë dhe duhet të gjejë një çek të mirëfilltë që të mbulojë shpenzimin.

Për katalanasit nuk është e thjeshte një gjë e tillë pasi kanë mbaruar çdo lloj mundësie për të marrë kredi në banka, si dhe u duhet të bëjnë disa shitje për të siguruar këtë shumë.

Ndaj në ditën e djeshme dhe të sotme, në zyrat e klubit ka pasur mbledhje të njëpasnjëshme për të shqyrtuar çdo mundësi rifinancimi që e lejon të paguajë këtë klauzolë dhe të mbyllë sa më shpejt diskutimet për të ardhmen e Niko Uilliams.