Vijon eksodi te bardheblutë, sulmuesi boshnjako-suedez thotë lamtumirë

Një tjetër faqe mbyllet në historinë e fundit të Tiranës.

Admir Bajroviç, sulmuesi boshnjako-suedez, ka dhënë zyrtarisht lamtumirën, duke u bërë lojtari i radhës që largohet nga klubi më më shumë trofe në vend.

Lojtari e konfirmoi sot divorcin përmes një postimi të shkurtër, por domethënës në "Instastory", ku shkroi: "It was a pleasure." — “Ishte kënaqësi”.

Bajroviç është përshëndetur me stafin teknik dhe punonjësit në kompleksin "Skënder Halili", pasi kërkoi shlyerjen e rrogave deri në muajin maj dhe më pas u largua nga kryeqyteti.

Pavarësisht pritshmërive të larta, aventura e tij te Tirana zgjati vetëm një sezon, pa arritur të lërë ndonjë gjurmë të thellë në fushë.

Ky nuk është rasti i vetëm. Vetëm në pak ditë u larguan edhe Romeo Harizaj, Fatmir Prengaj, Akileu Ndreca dhe Florjan Përgjoni. Skuadra bardheblu duket në një fazë të qartë riorganizimi, me shumë pikëpyetje rreth së ardhmes.

Ndërsa tifozët presin lajme për afrime të reja, kjo verë po bëhet një sezon i lamtumirave te Tirana. Tani mbetet për t’u parë se kush do të shkruajë faqet e reja në historinë e klubit më të vjetër të futbollit shqiptar.