Arsyet e krisjes mes Barcelonës dhe Ter Stegen, gjermani duhet te largohet
Portieri gjerman, Marc-André Ter Stegen, po përjeton një moment të tensionuar me Barcelonën. Sipas gazetës spanjolle ‘Sport’, marrëdhëniet mes palëve janë ftohur ndjeshëm, dhe janë zbuluar detaje të reja që e thellojnë situatën.
Shkak kryesor është fakti që Ter Stegen nuk ishte i kënaqur me minutat e pakta që mori pas rikthimit nga dëmtimi, veçanërisht në fund të sezonit.
Ai mbeti në stol në ndeshjen e dytë ndaj Interit në Champions League, një vendim i trajnerit Hansi Flick, dhe gjithashtu u la jashtë formacionit edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Athletic Bilbao-s, kur titulli ishte tashmë i siguruar. Në vend të tij, luajti Iñaki Peña.
Ter Stegen dëshironte të ishte titullar në atë takim për të fituar formë fizike në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve me Gjermaninë, ku ai më pas luajti si titullar në dy humbje ndaj Portugalisë dhe Francës.
Por një tjetër shkak për pakënaqësinë e tij ishte financiar: mungesa në fushë i kushtoi humbjen e një bonusi të rëndësishëm të përcaktuar në kontratë.
Transferimi i Joan García-s nga Espanyoli për 25 milionë euro shihet si një sinjal i qartë nga Barcelona se e ardhmja e Ter Stegen është në dyshim, pavarësisht se ai ka kontratë deri në vitin 2028 dhe është i lumtur në qytet dhe te klubi.
Drejtuesit e Barçës, edhe pse nuk e pranojnë publikisht, preferojnë largimin e tij për të ulur barrën e pagave, pasi e shohin të pajustifikuar mbajtjen e një portieri rezervë me një rrogë kaq të lartë.
Për momentin, Galatasaray dhe Manchester United janë të interesuar për gjermanin, ndërsa situata pritet të qartësohet me afrimin e përgatitjeve verore më 13 korrik.

