Formula1/ Leclerc: Në Kanada humbëm një shans të mirë për podiumin

Në një kampionat që deri tani është karakterizuar nga epërsia e McLaren, duhet të përfitosh nga çdo mundësi kur makina britanike gabon.

Siç ndodhi në garën e fundit të Formula 1, në Kanada, ku në podium, u ngjitën dy Mercedes dhe një Red Bull.

Ai që zhgënjeu ishte Ferrari, ndaj për Charles Leclerc ky ishte një shans i shpërdoruar.

Ndoshta jo edhe aq kur sheh se pilotët e “kokëkuqes” u nisën nga vendet larg kreut.

Monegasku, që u rendit i pesti, shfajësohet për këtë rezultat.

“Nuk dua të flas për ‘nëse’ apo ‘por’. U rendita i pesti dhe ndoshta nuk i kam bashkuar të gjitha pjesët dhe nuk e kam bërë punën time ashtu si duhet”, ka komentuar piloti i Ferrarit.

“Mercedes kishte avantazhin në atë fundjavë, Red Bull është vazhdimisht atje dhe McLaren ishte pak më në vështirësi. Unë mendoj se edhe ne ishim aty duke konkurruar, por e pamë se ku përfunduam”, tha më tej Leclerc.

Me pak fjalë, Leclerc merr fajin për rezultatin zhgënjyes në Kanada.

Piloti i Ferrarit, edhe në një fundjavë të mërzitshme, mori më shumë pikë se Lewis Hamilton, që u rendit në vendin e gjashtë.