Milan, fuqishëm në merkato/ Xhaka jep dritën jeshile, Javi Guerra objektivi tjetër
Me largimin e Reijnders drejt Manchester City-t, Milani ka nisur rindërtimin e mesfushës dhe po përshpejton manovrat për t’i dhënë Massimiliano Allegrit një skuadër gati për grumbullimin më 7 korrik.
Pasi ka mbyllur praktikisht marrëveshjen me Luka Modrić, që do t’i bashkohet kuqezinjve pas Botërorit për Klube me Realin, drejtori sportiv Igli Tare është hedhur në ofensivë për Granit Xhakën.
Tare ka udhëtuar vetë në Leverkusen për të bindur Bayerin dhe është afër suksesit: Milani ofron 10 milionë euro, ndërsa gjermanët kërkojnë pak më shumë, por janë të hapur për negociata, veçanërisht nëse përfshihen bonuse.
Nga ana tjetër, vetë Xhaka është entuziast për kalimin në Serinë A dhe po shtyn klubin për transferimin, pavarësisht mungesës së Milanit në kupat europiane.
Por përveç përvojës dhe fizikut të Xhakës, Milani synon të afrojë edhe freskinë dhe kreativitetin e Javi Guerra-s, 22-vjeçar i Valencias, që po shkëlqen me Spanjën U-21 në Evropian.
Valencia kërkon të paktën 25 milionë euro për të, por Milani është i vendosur të negociojë gjatë gjithë verës për ta sjellë në “San Siro” si pasuesin e Reijnders.
Ndërkohë, edhe çështja Theo Hernandez mbetet e nxehtë. Al Hilal është rikthyer në sulm me ndërmjetësin Federico Pastorello-s, që është parë në “Casa Milan”.
Francezi nuk pranoi ofertën fillestare, por nuk është më në planet e klubit dhe nëse nuk vjen një ofertë nga ndonjë klub i madh europian, largimi drejt Arabisë Saudite duket gjithnjë e më i mundshëm.

