MBAPPE JASHTË FUSHE! Sulmuesi me virozë, ende nuk është pjesë e Real Madridit
Real Madrid ka nisur përballjen në Kupën e Botës për ekipe pa Mbapen. Sulmuesi duket se është prekur nga një virozë ndaj dhe prej ditësh qëndron i izoluar në dhomën e tij
Kylian Mbappé ende nuk e ka veshur fanellën e Real Madridit në fushë gjatë Kupës së Botës për Klube, dhe gjendja e tij shëndetësore po mban në ankth stafin teknik dhe tifozët. Sipas gazetës spanjolle Marca, ylli francez është detyruar të mungojë në të gjitha aktivitetet zyrtare të skuadrës gjatë grumbullimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka ka ngritur shqetësime për ndeshjet në vijim.
Mbappé nuk ishte pjesë e formacionit në barazimin 1-1 kundër Al Hilal të Simone Inzaghit, as nuk mori pjesë në sesionin fotografik zyrtar për turneun dhe mungoi edhe në stërvitjet kolektive. Gjithashtu, në momentin e mbërritjes së presidentit Florentino Pérez në Florida, ai nuk ishte prezent për ta pritur bashkë me pjesën tjetër të ekipit.
Burime brenda klubit kanë treguar se sulmuesi vuan nga një infeksion viral, i shoqëruar me probleme fizike dhe ushqimore. Ai ka ndjekur një regjim ushqimor të lehtë dhe të lëngshëm, me fruta të freskëta dhe pije energjike, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor. Temperaturat e larta në Miami – deri në 38 gradë me lagështi 65% – kanë detyruar klubin të shmangë çdo rrezik të mundshëm.
“E kishte një të ftohur të fortë, besoj nuk ka dalë fare nga dhoma e hotelit,” u shpreh mesfushori Federico Valverde pas ndeshjes me Al Hilal.
Ndërkohë, trajneri Xabi Alonso mbetet i rezervuar për praninë e tij në ndeshjen e ardhshme kundër Pachuca, që do të zhvillohet të dielën. “Ka pasur një infeksion serioz viral. Do të vlerësojmë në ditët në vijim nëse do të mund të luajë,” deklaroi Alonso në konferencën për shtyp.
Në Madrid, shpresat janë që bëhet fjalë vetëm për një problem kalimtar. Por kur bëhet fjalë për fytyrën e re të projektit “Galaktik”, çdo kujdes është i justifikuar.

