Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit si kundërpërgjigje ndaj Izraelit

Irani ka paralajmëruar se mund të mbyllë Ngushticën strategjike të Hormuzit për lundrim, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli.

Kërcënimi u bë publik nga Behnam Saeedi, anëtar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit të Teheranit, i cili deklaroi për agjencinë e lajmeve Mehr se “Irani ka mundësi të shumta për t’iu përgjigjur armiqve të tij dhe i përdor ato sipas situatës”, duke përmendur mbylljen e ngushticës si një nga opsionet reale.

Ngushtica e Hormuzit është një prej pikave më të rëndësishme të tranzitit të naftës në botë, dhe çdo bllokim i saj do të kishte pasoja të rënda për tregjet globale të energjisë.

Një tjetër anëtar i parlamentit iranian, Ali Yazdikhah, theksoi se për aq kohë sa interesat kombëtare të Iranit nuk janë në rrezik, lundrimi në ngushticë dhe në Gjirin Persik do të vazhdojë lirshëm.

Megjithatë, Yazdikhah paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen zyrtarisht dhe operacionalisht në një luftë përkrah Izraelit, atëherë Irani do të ketë “të drejtën legjitime” për të ushtruar presion ndaj Uashingtonit dhe aleatëve të tij, përfshirë pengimin e tranzitit të naftës përmes ngushticës.

Tensionet në rajon janë në rritje, teksa përplasjet midis Iranit dhe Izraelit po ashpërsohen, duke rritur rrezikun për destabilizim më të gjerë në Lindjen e Mesme.