Putini paralajmëron Gjermaninë për dëme serioze nëse dërgon raketa “Taurus” në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi dje në mbrëmje Gjermaninë për “dëme serioze” në marrëdhëniet e saj me Rusinë nëse Berlini dërgonte raketa “Taurus” në Ukrainë.

“Meqenëse sistemi “Taurus” është i disponueshëm për oficerët e Bundeswehr dhe të dhënat satelitore, përdorimi i tij do të nënkuptonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Gjermanisë në luftën në Ukrainë”, tha Putin gjatë një takimi me përfaqësues të agjencive kryesore të lajmeve – në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar (SPIEF), në Shën Petërburg.

“Dërgimi i raketave nuk do të ndihmonte, pasi ushtria ruse ka epërsinë përgjatë gjithë vijës së frontit dhe një Ukrainë e furnizuar nga “Taurus” nuk do të ndryshonte avancimin e trupave ruse”, tha Putin.

“Trupat ruse kanë avantazhe strategjike në të gjitha drejtimet. Forcat tona të armatosura po sulmojnë përgjatë gjithë frontit”, tha ai.

Pretendimet e tij nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Putini gjithashtu i kërkoi Ukrainës të pranonte ofertën e Rusisë për negociata paqeje përpara se situata në vendin fqinj të përkeqësohej.

Megjithatë, kërkesat e fundit “maksimaliste” të Rusisë – që Ukraina të heqë dorë nga territoret që Rusia ka aneksuar – janë refuzuar nga Kievi.

Putini tha sërish se Rusia do t’i arrinte qëllimet e saj të luftës përmes forcës ushtarake nëse nuk mund të arrihej asnjë zgjidhje përmes negociatave.