Parlamenti finlandez voton në favor të tërheqjes nga traktati i minave tokësore për shkak të kërcënimit rus
Parlamenti i Finlandës votoi sot në favor të tërheqjes nga Konventa e Otavës – që ndalon përdorimin e minave tokësore kundër personelit – mes shqetësimeve për një kërcënim ushtarak që paraqet Rusia fqinje.
Finlanda u bashkohet anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s që kufizohen me Rusinë – Lituania, Letonia, Estonia dhe Polonia – duke u larguar ose duke planifikuar të largohen nga traktati.
Vendimi u miratua me 157 vota pro dhe tetë kundër – dhe do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas njoftimit zyrtar në OKB. Republikat baltike Letonia, Lituania dhe Estonia kanë marrë tashmë vendime të ngjashme, ashtu si edhe Polonia.
Qeveria finlandeze e njoftoi vendimin në prill – pas miratimit nga komisioni parlamentar i punëve të jashtme. Sipas ushtrisë finlandeze, minat tokësore i nevojiten për të mbrojtur vendin.
Traktati i Otavës hyri në fuqi në mars të vitit 1999 – duke ndaluar përdorimin, grumbullimin, prodhimin dhe transferimin e minave tokësore.
Finlanda nënshkroi traktatin në vitin 2012. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina, India dhe Pakistani nuk e kanë nënshkruar ende.
Finlanda, e cila ndan kufirin më të gjatë të NATO-s me Rusinë (1 340 kilometra), vendosi pas disa dekadash neutraliteti të aplikonte për t’u bashkuar me NATO-n – së bashku me Suedinë – pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
