SHBA, HAP VIZAT PËR STUDENTËT! Aplikantët do t’i nënshtrohen “vettingut” edhe në rrjetet sociale
SHBA ka rifilluar procesin për vizat studentore, duke kërkuar kontroll të zgjeruar të rrjeteve sociale për të gjithë aplikantët. Kjo masë vjen si pjesë e politikave të administratës Trump për rritjen e sigurisë dhe goditjen e universiteteve elitare që ai i akuzon për prirje të majta.
Departamenti i Shtetit të SHBA-së njoftoi se do të rifillojë planifikimin e takimeve për vizat studentore ndërkombëtare, por do të kërkojë që të gjithë aplikantët të bëjnë publike llogaritë e tyre në rrjetet sociale për kontroll të thelluar.
Administrata Trump kishte pezulluar vizat studentore në fund të majit, ndërsa përgatitej të forconte kontrollet ndaj aplikantëve të konsideruar armiqësorë ndaj SHBA-së.
Zyrtarët janë udhëzuar të zgjerojnë verifikimin e rrjeteve sociale të aplikantëve dhe të kërkojnë “çdo shenjë armiqësie ndaj qytetarëve, kulturës, qeverisë, institucioneve apo parimeve themeluese të Shteteve të Bashkuara”.
Udhëzimet do të ndikojnë në të gjithë aplikantët për vizat F, që përdoren kryesisht nga studentët universitarë, si edhe për vizat M (studentë profesionalë) dhe J (studentë shkëmbimesh kulturore), tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ata që mbajnë profilet e tyre sociale private mund të konsiderohen si persona që përpiqen të fshehin aktivitetin e tyre, shtoi departamenti.
Zyrtarët janë gjithashtu të udhëzuar të kontrollojnë nëse aplikantët mbështesin ose ndihmojnë organizata terroriste të shpallura të jashtme apo kërcënime të tjera ndaj sigurisë kombëtare, ose nëse kanë kryer akte të paligjshme antisemitike.
Kjo lëvizje është pjesë e një goditjeje më të gjerë nga administrata Trump ndaj emigracionit të paligjshëm dhe një përplasje të peresidentit me universitetet elitare amerikane.
Presidenti Trump i ka akuzuar këto institucione se janë tepër të majta dhe se nuk po luftojnë siç duhet antisemitizmin, sidomos gjatë protestave pro-palestineze në kampuse.
Fushata e tij përfshin edhe ngrirjen e qindra miliona dollarëve në fonde për universitetet, si dhe përpjekje për të deportuar studentë ose për t’u revokuar vizat. Shumë nga këto masa janë bllokuar nga gjykatat amerikane.
Ndër institucionet nën kontroll është Universiteti Harvard, të cilit i janë ngrirë 2.65 miliardë dollarë në grante federale. Trump ka tentuar gjithashtu t’i heqë Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, por një gjyqtar federal e ka bllokuar përkohësisht këtë vendim derisa çështja të shqyrtohet në gjykatë.
Sipas të dhënave të organizatës Open Doors, gjatë vitit akademik 2023–2024, mbi 1.1 milion studentë ndërkombëtarë nga mbi 210 vende ishin të regjistruar në kolegjet amerikane.

