Kianoush Rostami, legjendë iraniane e peshëngritjes, premton medalje për Kosovën
Një emër i madh i peshëngritjes botërore do të garojë për Kosovën: Kianoush Rostami, ish-kampion olimpik dhe botëror, tashmë është bërë pjesë e përfaqësueses dardane. Shtangisti 33-vjeçar ka marrë shtetësinë kosovare dhe do të përfaqësojë vendin tonë në garat ndërkombëtare, duke nisur nga data 2 korrik 2025.
Lajmi u konfirmua nga Astrit Hasani, president i Federatës Europiane dhe asaj të Kosovës në peshëngritje, gjatë një interviste për “Sportfolio” në Radio Dukagjini. Ai theksoi se Rostami do të marrë pjesë për Kosovën në Kampionatin Botëror në Norvegji, ku priten rezultate të larta.
“Falënderoj Presidenten e Republikës për procedurën e përshpejtuar të shtetësisë. Pasaporta e Kosovës tashmë është dorëzuar në Federatën Botërore,” tha Hasani.
Edhe pse fillimisht federata iraniane kishte premtuar lirimin e Rostamit për në Kosovë, marrëveshja u prish në moment të fundit. Megjithatë, Federata Botërore vendosi që Rostami të jetë i autorizuar të garojë për Kosovën nga korriku.
Në lidhje me lëvizjet e sportistit, për shkak të tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, Hasani siguroi se janë marrë masa: “Ka gjithmonë alternativa. Ai ka qenë më parë në Kosovë dhe shumë shpejt do të vijë sërish.”
Rostami, i cili mbush 34 vjeç më 23 korrik, është një nga emrat më të shquar të këtij sporti, me medalje ari në “Rio 2016”, argjendi në “Londër 2012”, dhe dy tituj kampion bote në vitet 2011 dhe 2014.

