INTERVISTA/ Ilir Meta: Shqipëria nuk është më shtet, por territor i kontrolluar nga “Rilindja”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për Fax News ka folur gjerësisht për zhvillimet më të fundit politike në vend, duke nisur nga raporti i Komisionit Europian mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, deri te akuzat ndaj SPAK dhe situata e opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit.
Meta ka komentuar gjithashtu gjendjen e tij personale pas më shumë se tetë muajsh në paraburgim, duke e quajtur këtë periudhë “kohë të fituar për të ardhmen”, si dhe ka shprehur bindjen se masat ndaj tij janë politike dhe të diktuara nga qeveria. Ai u shpreh optimist për të ardhmen e Partisë së Lirisë, duke theksuar se kjo forcë politike do të luajë një rol vendimtar në zhvillimet e ardhshme të vendit.
Meta, së fundmi u publikuar një raport i Komisionit Europian ku ngrihej shqetësimin për moszbatimin nga Kuvendi të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por ku flitej për herë të parë edhe për pasigurinë ligjore për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Si e vlerësoni këtë shqetësim që ngrihet kaq hapur?
Keni të drejtë që habiteni nga këto konstatime serioze që tregojnë jo për sundimin e ligjit, por të “maliqit” në Shqipëri dhe 9 vite pasi janë hedhur para pa fund për Reformën me 140 vota që u katandis në Ramaformë me 69 vota.
5-6 vite më parë fatkeqësisht Komisioni Europian lobonte në Komisionin e Venecias kundër vendimeve të Presidentit të Republikës pikërisht në mbrojtje të integritetit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe përsëri Komisioni i Venecias ruajti integritetin e tij dhe u shpreh shumë qartë jo thjesht në mbrojtje të vendimeve kushtetuese të Presidentit por edhe u shpreh qartë për çështjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe afatit të tyre kushtetues.
Por vesi del me shpirtin thotë populli ndaj “rilindasit” pasi kanë kapur shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duan të spastrojnë edhe çdo anëtar me integritet në Gjykatën Kushtetuese se i tmerron mendimi i pavarur, kushtetues, objektiv edhe pse në pakicë sepse kjo pakicë nxjerr zbuluar skllevërit e “Rilindjes” në sistem. Kur nuk ka siguri ligjore për afatin kushtetues të përcaktuar qartë në Kushtetutë për çfarë tjetër mund të ketë siguri ligjore e juridike në këtë territory se shtet nuk mund ta quash më.
Ah, po ka për bandit që vjedhin zgjedhjet se ato lejohen të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve dhe pastaj njoftohen që të “largohen” për të mos ekzekutuar fletë-arrestimet e kërkuara përherë nga partnerët ndërkombëtarë.
Meqënëse përmendët zgjedhjet, cilat janë pritmëritë tuaja nga rinumërimi që sapo ka nisur?
Standardet e zgjedhjeve u ekzekutuan shumë kohë para tyre nga “Rilindja” dhe deri në ditën e fundit.
Ndoqa pak dje deputetin Himçi që po bënte transparencën e një qendre votimi ku kishte fletë votimi pa vula fare dhe plot marrëzira të tjera ku “treni bullgar” e kishte zbritur opozitën në 7%.
Edhe në Rusi dhe në Bjellorusi besoj se janë më të përmbajtur se në Elbasan.
Apo kemi parë pamje me video ku një person hyn me 2 të tjerë në qendër të votimit dhe pastaj ulet në karrige që të mos lodhet se I duhet të votojë në 4 fletë votimi, as në 3. E dhjetëra raste të tilla që dëshmuan një industrializim të tjetërsimit të votës dhe kontrollit absolut të saj.
Të mos harrojmë se dhjetëra mijëra përkrahës të opozitës janë penguar përmes presioneve për të marrë pjesë në zgjedhje.
A e justifikojnë këto humbjen e opozitës?
Këto së pari provojnë farsën elektorale të 11 Majit që opozita duhet ta delegjitimojë deri në fund. Çfarë mund të kishte bërë opozita më mirë vjen në një moment të dytë kur çmontimi i farsës ka përfunduar.
Por në kushtet kur Narkoshteti është non stop në agression të dhunshëm ndaj opozitës siç ishte edhe rrëmbimi i vulës së Partisë Demokratike për tre vitë nga Rama që të rrëmbente bashkitë në Maj 2023, përndjekja gjyqësore e drejtuesve të opozitës duke nisur nga lideri i PD-së, Z. Berisha, rrëmbimi kriminal i imi më 21 tetor 2024, siç kemi parë të gjithë proceset politike ndaj Salianjit, Fredi Belerit, Fatmir Mediut e shumë të tjerë, natyrisht që opozita ka meritën që nuk është dorëzuar, por ka rezituar, luftuar dhe janë këto përpjekje të saj që do çojnë në kolapsimin e këtij regjimi të kalbur nga korrupsioni dhe imoraliteti.
Shikoni se sa “shokë” ka qenë i detyruar të fusë në burg apo detyrojë të ikin në arrati vetëm për të shmangur përgjegjësit nga vetja “Kryerilindasi” qe është vetë ideatori dhe ekzekutori i veprave më korruptive që nga inceneratori e deri te dhjetëra PPP.
Këto regjime bien pikërisht kur duken më të forta sepse kanë arritur zenitin e kalbëzimit të tyre.
Ndërkohë keni kërkuar ndryshim të masës së arrestit me burg me pretendimin se SPAK ka shkelur afatet. Cilat janë pretendimet tuaja?
SPAK me rastin Meta nuk ka lënë gjë pa shkelur, që nga dhjetori i 2019 kur ka regjistuar çështjen CEZ-DIA e deri tani, por kjo kërkesë është bërë nga avokati im Z. Cakrani, i cili bën punën e tij për të dokumentuar çdo shkelje, pasi këto më të rëndësishme se sa për t’u paraqitur në sistemin e brendshëm të drejtësisë janë për Gjykatën e Strasburgut, e cila rastet e Shqipërisë do t’i ketë si precedentët më skandalzoë të shkeljes së Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Rasti Gëllçi ishte vetëm i pari që do pasohet nga shumë të tjerë.
Tani që po bëheni 8 muaj në paraburgim, si ndjeheni?
Ndihem shkëlqyer në planin personal sepse Edi Rama harxhon dhjetëra mijëra eruo për detoks ndërsa unë kam 8 muaj që bëj detoks falas. Po kështu sa herë shkoj në infermieri për të matur tensionin nis humori se kurrë nuk lëviz nga 7-11.
Kisha kohë pa lexuar kaq shumë, pa shkruar kaq shumë dhe pa u stërvitur kaq shumë.
Çdo ditë që rri këtu e quaj kohë të fituar për të ardhmen. Kurrë nuk kam ecur në drejtim të erës, por të së vërtetës, të drejtës dhe së ardhmes.
Duket pak si rrugë më e gjatë, por të çon atje ku duhet.
Po me të nxehtin si po kaloni se u ankuat që nuk ka as ujë?
Unë u ankova për të tjerët pasi unë i mbush bidonët me ujë (se një orë në ditë ka ujë) dhe nuk më mungon. Ndërsa i nxehti nuk është problem im, por kondicioneri.
A mund të ketë sërish shtyrje të hetimeve ndaj jush?
Në këtë vend ku sundon mafia dhe jo ligji çdo gjë mund të ndodhë por ky nuk është më prioriteti ynë.
Tani prioriteti ynë është të ezaurojmë sa më parë Gjykatën Kushtetuese dhe ta çojmë sa më parë masën e arrestit (rrëmbimit) në Gjykatën e Strasburgut ku do provojmë botërisht se asnjëherë nuk ka qenë qëllim hetimi i im sepse kjo ka ndodhur pa pengesa (madje edhe në mënyra të paligjshme), por rrëmbimi im banditesk me qëllim jo vetëm pengimin në zgjedhjet e 11 Majit, por edhe me qëllim rrëmbimin e drejtimit të Partisë së Lirisë dhe vulës së saj me qëllim gjymtimin e pluralizmit politik.
Ne do provojmë se SPAK ka qenë vetëm një zbatues i verbër i urdhrave për burgosje të Kryenarkomanit të “Rilindjes” nga tribunat e Partisë Socialiste.
Ne do provojmë se SPAK ka asgjësuar pavarësinë e gjykatave të brendshme përmes përgjimeve dhe shantazheve.
Ne do provojmë se SPAK i bën këto shërbime të verbëra politike sepse Dumani kërkon mandat të përjetshëm duke garantuar pandëshkueshmërinë e mega-aferave të Edi Ramës dhe duke dështuar qëllimisht goditjet ndaj krimit zgjedhor dhe të organizuar.
Shtyrja dhe zvarritja e hetimeve është interesi i tyre pasi kanë dështuar plotësisht në të gjithë investimin e tyre mafioz të nxitur nga Edi Rama dhe Charles McGonigal që në dhjetor 2019 të gjejnë edhe një provë sado minore që të përbëjë provë apo fakt penal kundër Ilir Metës.
Ata i tmerron edhe një intervistë te kolegia juaj Beti Njuma e shpikin dënime sa groteske dhe të turpshme, që dëshmojnë frikën jo thjehst nga liria e fjalës, por nga të vërtetat dhe faktet.
Ne do ta fitojmë këtë betejë sepse kjo është në interesin kombëtar e publik të shqiptarëve që grabiten pamëshirë çdo ditë nga një regjim kleptokrat që kërkon të instalojë frikën dhe heshtjen përmes përndjekjes së drejtuesve të opozitës, por edhe të gjithë kritikëve të regjimit.
Po të ardhmen e Partisë së Lirisë si e shikoni?
Unë e shoh me shumë optimizëm sepse në radhë të parë Partia e Lirisë ka kauza shumë të fuqishme në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik.
Po kështu një lidership të kthjellët dhe të pashantazhueshëm e të korruptueshëm nga regjimi.
Është e vërtetë se ka qenë në qendër të goditjeve mafioze nga regjimi, që ka arritur të korruptojë një pjesë apo të marrë peng për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre individuale, po ky ka qenë dhe mbetet një proces pastrimi e vetëpastrimi.
Konventa e 27 Prillit 2024 mbetet themeli i fuqizimit për të ardhmen e Partisë së Lirisë.
Po kështu analizimi i imët dhe objektiv i këtyre zgjedhjeve është i domosdoshëm për suksesin tonë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Partia e Lirisë do të jetë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë në dy dekadat e ardhshme.



