KANABIS NË MALE! Mijëra bimë në parcelëza, shpella e në mes të pyllit. 6 kryepleq në hetim

Gati 7 mijë bimë kanabis u gjetën në malësinë e Shkodrës, Krujës dhe Librazhdit. Të ndarë në  copësa sipërfaqesh, policia përdori helikopterë dhe dronë për të mbërritur dhe zbuluar, ndërsa u vunë re dhe sistem vaditje dhe përdorim të shpellave për aktivitetin. Ndërkaq në një ditë në hetim për mos kallëzim krimi u vunë 6 kryepleq

6 mijë rrënjë kanabis janë gjetur në malësinë e Pultit, Shalës dhe Shoshit në Shkodër.

Për të mbërritur aty blutë përdorën helikopterin e ushtrisë, ndërsa zbuluan disa parcela në sipërfaqe të vogla ku ishin kultivuar bimët narkotike.

Autorët kanë përdorur edhe shpellat për të krijuar rezervuarë uji.

Për aktivitetin policia gjeti dhe serrat, por jo autorët. Dy rojet dhe 5 kryetarë të fshatrave u proceduan për mos kallëzim krimi, ndërsa hetimet vijojnë për gjetjen e autorëve

Ndryshe nga Shkodra në Krujë policia përdori dronët, ku u filmuan duke vaditur bimët narkotike këta dy punonjës

Më mbërritjen në fshatin Zgërdhesh u zbuluan 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë cannabis sativa.  Dy vëllezër dhe një tjetër person u arrestuan si autorë, ndërsa bima narkotike u dogj në vend

Me dron policia zbuloi dhe një tjetër zonë me kanabis, ku në  Spathar u gjetën 150 fidanë. Edhe aty policia arrestoi autorin por në hetim u vu dhe kryeplaku duke proceduar gjashtë të tillë në një ditë për mos denoncim të kultivimit të bimës narkotike.

Policia po ashtu bëri të ditur se në kërkim është shpallur D.F 32 vjeç i dyshuar si autor i kultivimit të 2100 bimë kanabis në Vigë Mnell, të zbuluar në 12 qershor.