Kërkon ndryshim të masës së sigurisë, shtyhet seanca për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit, ja DATA
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masës së sigurisë është shtyrë. Mësohet se seanca do të zhvillohet më 30 qershor në orën 09:30. Malltezi ndodhet nën masën "arrest shtëpie" dhe në kërkesën e tij kërkon zbutje të kësaj mase.
Më 30 qershor është caktuar edhe seanca e parë në themel për dosjen e njohur si “Partizani”, ku të pandehur për korrupsion janë Malltezi, Sali Berisha dhe tre biznesmenë të tjerë.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues.
Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.
