Goleada në Botërorin e klubeve, Kompani: Nuk është e lehtë të shënosh dhjetë gola, ishim seriozë
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Vinsent Kompani, duhet të jetë i kënaqur me performancën e ekipit të tij.
Bavarezët fituan ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube me rezultat shumë të thellë 10-0 dhe patën një paraqitje për t’u vlerësuar.
Edhe pse ata luajtën kundër neozelandezëve nga Okland, relativisht të dobët, belgu ndoshta ka pak për të kritikuar.
Pas ndeshjes, trajneri i Bajernit foli në mikrofonin e “DAZN” për performancën e ekipit.
“Nuk kemi nevojë për lëvdata tani, puna është bërë, kemi luajtur shumë seriozisht.
Ndoshta diferenca e golave është e rëndësishme në këtë grup, kështu që rezultati 10- 0 është i mirë”. Belgu më pas vazhdoi: “Kur një ekip luan thellë në mbrojtje, nuk është e sigurt se do të shënojë dhjetë gola.
Nuk mund të bësh më shumë se kaq. Pika kulmore për mua është Jamal Musiala që vrapon prapa dhe fiton topin.
Kjo është një bazë e mirë për pjesën tjetër të turneut”.
Në fakt, ishte e vështirë të gjeje dikë që nuk u paraqit mirë. Përfshi edhe mbrojtjen këtu dhe në veçanti Xhonatan Tah, afrimi më i fundit i bavarezëve në merkaton aktuale.
“Për Xhonatanin, gjithçka kishte të bënte me përqendrimin, kështu që ai, ashtu si pjesa tjetër e ekipit, ishte shumë profesional dhe serioz”, deklaroi trajneri i kampionëve të Gjermanisë.
Lenart Karl, 17 vjeç, bëri gjithashtu paraqitjen e tij të parë për ekipin e parë të Bajernit.
Ishte trajneri Kompani që i dha debutimin djaloshit dhe në lidhje me të, tekniku belg shpjegoi atë çfarë ai pa te lojtari i talentuar.
“Leni ka aftësinë të përbëjë një kërcënim në të tretën e fundit të fushës. Kjo është forca e tij kryesore. Ai ka pasur disa mundësi të mira.
Është mirë për të dhe për Bajernin që ai bëri debutimin e me ekipin e parë”, deklaroi Komoani.
Krahas 17-vjeçarit, Kompani aktivizoi edhe talentin e madh Adam Aznu në fazat e fundit. I riu u rikthye në qershor pas një periudhe huazimi te Real Vajadolid.
