Sulmuesi maroken rinovon me Realin, e presin edhe pesë vite të arta në ‘Bernabeu’

Do të bëhet zyrtare së shpejti. Real Madridi ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës së sulmuesit Brahim Díaz, i cili pritet të jetë një pjesë thelbësore e të ardhmes së skuadrës mbretërore. Lajmin e bën të ditur ‘MARCA’.

Futbollisti ka kontratë deri në vitin 2027, por rinovimi i tij është drejt finalizimit për disa vite të tjera, pasi klubi e konsideron të domosdoshme praninë e tij. 25-vjeçari do të jetë kështu pjesë e së ardhmes së skuadrës së parë për të paktën pesë vitet e ardhshme.

Rinovimi i fundit i Brahimit me Realin ndodhi në qershor të vitit 2023, me kontratën aktuale që skadon në 2027, siç u përmend.

Sulmuesi maroken iu bashkua klubit madrilen në vitin 2019 dhe performanca e tij është pritur me entuziazëm si nga tifozët në “Bernabéu”, ashtu edhe nga drejtuesit. Xabi Alonso gjithashtu është një admirues i stilit të tij të lojës.

Kontributi i Brahim Díaz këtë sezon ka qenë i rëndësishëm: 6 gola dhe 7 asistime në 51 ndeshje.

Loja e tij ka bindur drejtuesit dhe trajnerin, pasi ai sjell një profil lojtari që mungon aktualisht në skuadër.

Diaz po përgatitet për një sezon shumë të ngarkuar si në aspektin personal, ashtu edhe në atë kolektiv.

Do të ketë tri frontet e zakonshme me Realin (La Liga, Kupa e Mbretit dhe Champions League), por viti do të jetë veçanërisht i rënduar nga angazhimet me kombëtaren marokene.

Në shtator, Maroku do të zhvillojë ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndaj Nigerit dhe Zambias, me thirrje të tjera që pritet të pasojnë në tetor.

Sfida më e madhe vjen në dhjetor, kur do të luhet Kupa e Afrikës në Marok, me një presion të madh për ta fituar atë.

Turneu do të zhvillohet nga 21 dhjetori deri më 18 janar dhe Maroku do të përballet në grup me Komoret, Malin dhe Zambian.

As viti 2026 nuk do të sjellë pushim: do të ketë datat zyrtare të FIFA-s, angazhimet me Realin dhe, nëse kualifikimi përfundon me sukses, edhe pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026 në Meksikë, SHBA dhe Kanada, ku Maroku do të përpiqet të mbrojë vendin e katërt historik të arritur në Katar 2022.