Murtaja te bagëtitë, konfirmohet vatra e parë në qarkun e Korçës
Është konfirmuar vatra e parë e murtajës në qarkun e Korçës. Sipas informacioneve vatra është pikasur në fshatin Shuec të bashkisë Devoll. Gjithashtu bëhet me dije se rastet janë evidentuar në një fermë bagëtish, ku ndodhen aktualisht përfaqësues të shërbimit veterinar, të cilët po kryejnë të gjitha procedurat për izolimin dhe menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjes në zona të tjera. Ditën e djeshme Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë një njoftim lidhur me situatën e krijuar në disa zona të prekura nga murtaja e bagëtive. Në njoftim thuhet se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (Peste des Petits Ruminants – PPR) është një sëmundje serioze virale, tepër ngjitëse e ruminantëve të vegjël, e cila ka ngordhshmëri të lartë deri në nivele të 100% të tufës, duke shkaktuar humbje ekonomike, por nuk cenon shëndetin dhe nuk transmetohet te njeriu.
Ministia tha se konfirmimi i parë për sëmundjen e Murtajës në Shqipëri është bërë më 4 qershor 2025, me vendndodhje në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër. Në vijim, rasti i dytë është konfirmuar më 5 qershor në fshatin Vrenjt, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër; rasti i tretë më 9 qershor në fshatin Val, njësia administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë dhe rasti i katërt më 11 qershor në fshatin Polenë, njësia administrative Qendër, Bashkia Skrapar.
Në njoftim gjithashtu theksohej se në Urdhrat e Ministrit është përcaktuar qartë, që për cdo rast të konfirmuar me këtë sëmundje, marrja e masave të kufizimit të lëvizjes së kafshëve të gjalla. Ministria fton të gjithë subjektet dhe fermerët të zbatojnë me përpikëri këtë urdhër, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet veterinare lokale.
