Qendër shëndetësore verore në kishën e Shën Ndout, Koçiu: Në shërbim 24/7 për pelegrinët që vizitojnë këtë vend të bekuar

Në kishën e Shën Ndout në Laç është hapur për herë të parë këët sezon veror Qendra Shëndetësore Verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha në një postim në rrjetet sociale se “kjo qendër do të jetë në shërbim 24/7 për të gjithë qytetarët dhe pelegrinët që vizitojnë këtë vend të bekuar”.

“Shëndeti i çdo vizitori është prioritet për ne, ndaj me ekipin e mjekëve dhe infermierëve jemi të gatshëm të ofrojmë kujdesin e nevojshëm në çdo moment”, theksoi Koçiu.

Specialisti i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Ermal Meraj tha se “kjo qendër është hapur së fundmi në kuadrin e nismës së MSHMS-së për t’i ofruar shërbim shëndetësor qytetarëve që vijnë në pikat turistike”.

“Qendra do të jetë e hapur 24/7 deri në fund të sezonit turistik. Ajo i vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve që vijnë në kishën e Shën Ndout gjatë këtij sezoni turistik”, tha Meraj.

Në kishën e Shën Ndout në Laç mbyllet sot pelegrinazhi i përvitshëm i 13 të martave.

Besimtarët vijnë nga të gjitha qytetet e vendit, ku një pjesë e madhe e tyre qëndrojnë natën në ambientet përreth kishës, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm shpirtëror.