Seancë për Veliajn/ Prokurori Dado, raportim për hetimet në GJKKO
Këtë të premte në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet seancë kundër kryebashkiakut të arrestuar prej 10 shkurtit, Erion Veliaj.
Seanca do të zhvillohet për raportimin dymujor të hetimeve të kryera deri në këtë fazë nga prokurori i çështjes, Ols Dado.
Seanca pritet të nisë rreth mesditës.
Më 22 Maj, SPAK rëndoi pozitat penale të çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa, pasi i shtoi një akuzë të re, si dhe i sekuestroi edhe një tjetër apartament, e cila dyshohet si pasuri e fshehur e tyre.
Bëhet fjalë për apartamentin në katin e dytë të godinës ku ndodhet dhe apartamenti i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet, ku më parë ishte ushtruar kontrolle edhe nga oficerët e BKH-së.
Ndaj çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa është shtuar akuza e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Kujtojmë që ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj rëndojnë 12 akuza për 4 vepra penale.
Ai akuzohet për “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” më shumë se një herë, “Futja e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

