Vijon kaosi te Urdhri i Psikologut/ "Zhduket" Bordi që do shqyrtonte zgjedhjet problematike
Përplasje mes psikologësh se kush do ta drejtojë Urdhrin janë shënuar edhe ditën e sotme, ku pritej te mblidhej Bordi i Psikologeve, por dera e se cilit ishte e mbyllur per keta te fundit.
Me 238 vota, Brunilda Laboviti është Presidentja e re e Urdhrit të Psikologut, një organ i krijuar me ligj në vitin 2017, pjesë e të cilit janë 1600 psikologë në rang vendi. Këto ishin zgjedhjet e dyta në këtë urdhër, pasi ky proces u zhvillua edhe në vitin 2024, por pa sukses.
Që prej themelimit të këtij Urdhri e deri më sot, Presidentja dhe personazhi kryesor që e ka drejtuar urdhërin është Valbona Treska, një psikologe e njohur e cila ka bërë të mundur që Urdhri në këto vite të sigurojë edhe akreditime ndërkombëtare të një rëndësie të veçantë.
Por përtej mantelit të arritjeve, drejtimi i Urdhrit nga Treska është përballur me kundërshtime dhe denoncime të shumta, që lidhen me mënyrën sesi është drejtuar Urdhri prej saj. Të 1600 anëtarët që janë pjesë e Urdhrit janë të lirë të marrin në trajnimet që organizon Urdhri, që më pas të kenë mundësi të punësohen pranë institucioneve përkatëse, ku një pjesë e rëndësishme e interesimit të vetë psikologëve është brenda sistemit të drejtësisë.
Vlerat e trajnimeve pranë Urdhrit nisin nga 35 mijë lekë e deri në 150 mijë lekë të reja.
Por pikërisht këtu ka nisur edhe debati. Brenda Urdhërit ka dy kampe që veprojnë aktualisht. Një që është grupi i themelueses Valbona Treska dhe grupi kundërshtar që e akuzon për praktika të padrejta, për uzurpim të urdhërit, emërime në punë jashtë çdo kriteri dhe për mostransparencë të parave që UP mbledh çdo vit nga trajnimet apo nga institucionet përmes projekteve që ky Urdhër merr.
Por çfarë ndodhi më 5 qershor?
Përplasja mes psikologëve dhe Këshillit Drejtues dhe grupit të Treskës vijoi dhe i akuzojnë këshillin drejtues për abuzim.
Psikologët janë të indinjuar nga pagesat për trajnime ndërkohë që përzgjedhja sërish bëhet selektive dhe janë të tjerë psikologë ata që dërgohen nëpër institucione e sidomos në sistemin e drejtësisë.
Votimi u zhvillua edhe në praninë e përfaqësuesve të Ministrive, të cilit ishin thjesht spektaktorë në një proces te i cili janë thjesht vëzhguesë.
Çfarë do të ndodhë tani?
Ajo që është e qartë, është se përplasja nuk mbaron me 5 qershorin. Në fakt, ajo sapo ka hyrë në një fazë të re, ku besueshmëria e një institucioni që duhet të garantonte etikën dhe shëndetin mendor të shoqërisë, ka rënë pre e interesave meskine.
Grupi i Valbona Treskës refuzon ta njohë rezultatin, duke argumentuar se procesi nuk ka kuorumin e nevojshëm, ndërkohë që grupi i Brunilda Labovitit pret të marrë zyrtarisht drejtimin, duke e konsideruar votimin legjitim dhe duke u përgatitur për të ushtruar autoritetin si Presidente.
Por në thelb, problemi nuk është vetëm tek zgjedhjet. Ato nuk e ndryshojnë dot akuzën se trajnimet e psikologëve janë në monopol, apo se qasja në sistemin penal është preferenciale dhe e diktuar nga rregullat e caktuara nga kupola e Urdhërit.
Ajo që po ndodh është një “luftë për pushtet” e mbuluar por e zhveshur nga çdo standard etik që vetë psikologët duhej të mishëronin.
Nëse situata vazhdon kështu, rreziku është që të gjitha licensat dhe trajnimet e psikologëve shqiptarë të shihen me pikëpyetje.


