Manastirliu: Mbyllet viti shkollor i mbushur me emocione për nxënësit tanë

Mbi 350 mijë nxënës në të gjithë vendin mbyllën sot vitin shkollor 2024-2025.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale tha se “sot u mbyll një vit shkollor i mbushur me emocione për nxënësit tanë, ku ata kanë mësuar më shumë nga librat, mësuesit dhe nga njëri-tjetri”.

Manastirliu iu uroi nxënësve pushime të mbara këtë sezon veror.

Viti shkollor nisi në shtator të 2024 me 25 shkolla të reja dhe më shumë se 216 laboratorë smart dhe terrene të reja sportive.

Po ashtu, ky vit nisi me paga më të larta për mësuesit, duke i motivuar ata dhe më shumë në punën e tyre. Tashmë pas rritjes së pagave, paga mesatare e mësuesve është 950 euro në muaj për ta.

Në arsimin bazë, viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë më 8 shtator dhe përfundon më 12 qershor 2026.

Nxënësit do të kenë dy periudha pushimesh gjatë vitit: pushimet dimërore do të jenë nga 22 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, ndërsa pushimet pranverore janë caktuar nga 30 mars deri më 3 prill 2026.