Tragjedia e ”Air India”, ku viktima ka edhe mes atyre që nuk ishin në avion

Një aeroplan i ”Air India” u rrëzua dhe u përfshi nga flakët në një distancë të shkurtër nga aeroporti i Ahmedabadit, një qytet në Indinë perëndimore, një minutë pas ngritjes, shkruan ”Corriere della Sera”.

Avioni, një ”Boeing 787 Dreamliner” – një aeroplan që përdoret për fluturime të gjata – po shkonte drejt Londrës. Sipas informacionit fillestar, në bord kishte 242 persona: 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Dëshmitarët raportuan dhjetëra trupa të djegur të shpërndarë nëpër rrugë dhe disa ndërtesa të shkatërruara ose të dëmtuara. Trupat e gjetur tashmë janë 208 dhe nuk është e qartë për momentin se sa prej atyre që ishin në fluturim dhe sa në tokë.

“Duket se nuk ka të mbijetuar”, tha specialisti G.S. Malik për ”Associated Press” duke shtuar se “disa banorë vendas vdiqën gjithashtu” aty ku u rrëzua avioni.

Dhjetëra studentë mjekësie që ndodheshin në njërën nga ndërtesat e prekura u dërguan në spital dhe të paktën dy prej tyre, sipas BBC-së, janë në kujdes intensiv.

Dinamika

Aksidenti ndodhi gjatë fazës së ngjitjes së avionit. Megjithatë, faqja e gjurmimit të avionëve ”Flightradar24” thekson se ai humbi sinjalin e ”Boeing”-ut disa sekonda pasi u ngrit nga toka në orën 13:38:51. Në atë moment, avioni po lëvizte me një shpejtësi prej 322 kilometrash në orë. Një video, në veçanti, do të tregonte ”Boeing”-un duke u përpjekur të ngrihej më tej, duke përfunduar pastaj midis shtëpive. Avioni ra mbi rezidencën e fakultetit mjekësor.

Në vëzhgim

Autoritetet indiane – në mungesë të elementëve të jashtëm si një goditje zogjsh – thuhet se po përqendrohen në mundësinë e një problemi serioz mekanik (hidraulik) që do të pengonte avionin të fitonte rregullisht lartësi dhe motorët të funksiononin me fuqinë e nevojshme ose gabim njerëzor. Nga ajo që mësojmë, në veçanti, flapat – pjesët lëvizëse të krahëve – thuhet se janë nën vëzhgim sepse, nga videot e bëra, nuk gjykohen të jenë në pozicionin e duhur për ngritje.

Momentet e fundit

“Kontrolli i trafikut ajror raportoi se mori një thirrje emergjente nga avioni përpara se të ndërpriteshin të gjitha komunikimet,” tha Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGCA) e Indisë.

“Fluturimi u komandua nga kapiteni Sumeet Sabharwal, me 8 200 orë përvojë, dhe oficeri i parë Clive Kundar, me 1 100 orë përvojë fluturimi. Hetimet për aksidentin janë duke vazhduar”, shtoi ajo.

Kush ishte në bord

Fluturimi i ”Air India” mbante pasagjerë të kombësive të ndryshme, sipas Reuters. Agjencia e lajmeve shkruan se Boeing mbante 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe një kanadez. Autoritetet lokale nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të viktimave ose të mbijetuarve.

Reagimi i kryeministrit

“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe trishtuar thellësisht. Është një dhimbje e papërshkrueshme. Në këtë orë të trishtueshme, mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur. Jam në kontakt me ministrat dhe autoritetet që po punojnë për të ndihmuar të përfshirët,” ishte komenti i kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.

Hetimet

Një ekip hetuesish nga NTSB amerikane, ”Boeing” dhe prodhuesi i motorëve të aeroplanit do të shkojnë së shpejti në vendin e aksidentit për të ndihmuar me hetimin. Avioni ”787 Dreamliner” është një nga avionët reaktivë më të përdorur në botë për lidhje ndërkontinentale.

India ka investuar miliarda në vitet e fundit për t’i mundësuar vendit të përmirësojë lidhjen ajrore dhe të zvogëlojë kohën e udhëtimit që sot i sheh miliona njerëz të udhëtojnë, veçanërisht me tren. ”Air India” — pas vitesh vështirësish — u mor në pronësi nga grupi ”Tata”.