Marrëveshja në pikëpyetje! SHBA rishikon paktin bërthamor të nëndetëseve: Duhet të përputhet me agjendën “America First”

SHBA ka nisur një rishikim të marrëveshjes bërthamore të nëndetëseve me Britaninë dhe Australinë, për ta përshtatur me agjendën e re të administratës Trump "America First". Marrëveshja Aukus, që synon përballjen me ndikimin e Kinës në Indo-Paqësor, parashikon ndarjen e teknologjisë më të avancuar ushtarake dhe ndërtimin e një flote të përbashkët nëndetësesh.

SHBA ka nisur një rishikim të marrëveshjes shumë-miliardëshe të nëndetëseve me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, pjesë e paktit të sigurisë Aukus, duke deklaruar se ky bashkëpunim strategjik duhet të përshtatet me prioritetet e reja të administratës amerikane dhe axhendën "America First".

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2021, Australia do të përfitojë për herë të parë nëndetëse me energji bërthamore nga SHBA, ndërsa tre aleatët do të punojnë për të ndërtuar një flotë të re përmes ndarjes së teknologjisë më të avancuar ushtarake. 

Pakti ka si synim kryesor kundërvënien ndaj ndikimit në rritje të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Rishikimi vjen në një moment kur administrata e re amerikane po ushtron presion mbi aleatët që të rrisin shpenzimet ushtarake.

Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord të shpenzojë 2.5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2028 dhe synon të arrijë në 3% në mandatin e ardhshëm, ndërsa Australia ka premtuar rritje buxhetore, por jo në nivelin prej 3.5% të kërkuar nga Uashingtoni.

Një zyrtar i Pentagonit deklaroi per mediat se rishikimi është pjesë e vlerësimit të iniciativave të trashëguara nga administrata e mëparshme për t’u siguruar që ato përputhen me politikat aktuale të sigurisë kombëtare.

“Siç e ka bërë të qartë Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, prioritet mbetet gatishmëria maksimale e forcave tona dhe angazhimi i plotë i aleatëve për mbrojtjen kolektive”, tha ai.

Rishikimi do të drejtohet nga Elbridge Colby, një ish-zyrtar i mbrojtjes dhe kritik i mëparshëm i marrëveshjes Aukus, i cili më parë kishte shprehur shqetësimin pse SHBA po shpërndante "asetet më të vlefshme të mbrojtjes" në një kohë kur vetë ka mungesa në kapacitetet e nëndetëseve bërthamore.

Nga Australia dhe Britania e Madhe, ka pasur reagime positive. Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, tha se mbetet i bindur se marrëveshja do të zbatohet.

Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar e quajti të kuptueshëm vlerësimin e marrëveshjes, duke theksuar rëndësinë strategjike të aleancës me SHBA dhe Australinë.