Irlanda e Veriut përfshihet nga trazirat! Nisën nga një protestë paqësore, përfundojnë në zjarr e dhunë! 32 policë të plagosur, 6 të arrestuar
Trazira të dhunshme përfshinë disa qytete në Irlandën e Veriut për të tretën natë radhazi, pas një proteste për një sulm të dyshuar seksual ndaj një adoleshenteje. Policia dyshon për motive raciste, pasi objektet dhe individët e pakicave etnike u vunë në shënjestër, ndërsa 32 oficerë u plagosën dhe gjashtë persona u arrestuan.
Trazira të dhunshme kanë përfshirë për të tretën natë radhazi disa qytete në Irlandën e Veriut, pas një proteste që nisi për një sulm të dyshuar seksual ndaj një vajze adoleshente nga dy 14-vjeçarë.
Protesta u shndërrua shpejt në përplasje të ashpra me forcat e policisë, të cilat janë sulmuar me fishekzjarrë, shishe dhe tulla.
Ngjarjet më të rënda janë regjistruar në qytetin Ballymena, ku fillimisht shpërtheu dhuna, dhe më pas u përhapën edhe në qytete të tjera si Larne.
Sipas dëshmitarëve, një grup prej rreth 50 personash morën pjesë në sulmin e organizuar.
Policia ka deklaruar se dhuna duket të jetë e motivuar nga urrejtja racore.

Kjo pasi njerëz me identitet etnik jo-irlandez janë vënë në shënjestër, dhe objektet që i shërbejnë këtyre komuniteteve janë sulmuar gjithashtu.
Në përplasje janë plagosur të paktën 32 oficerë policie, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar.
Policia e Irlandës së Veriut ende nuk ka dhënë një raport të plotë për ngjarjet. Ndërkohë dy djemtë 14-vjeçarë kanë mohuar akuzat për tentavivë përdhunimi ndërsa hetimet për ngjarjen po vazhdojnë.

