Prej 10 ditësh protesta në Bolivi/ Përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dy policë të vde*ur dhe dhjetëra të plago*ur

BOLIVI- Një valë e re trazirash është regjistruar në Bolivi midis mbështetësve të ish-Presidentit Evo Morales dhe forcave të rendit.

Trazirat rezultuan me humbjen e jetës së të paktën dy oficerëve të policisë dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Mbështetësit e Morales kishin bllokuar një rrugë dhe forcat e zbatimit të ligjit po përpiqeshin ta hapnin atë.

Trazirat shpërthyen në qytetin minerar të Yayagua, në rajonin e Potosit, ku 17 persona u plagosën një ditë më parë të martën, përfshirë dy oficerë policie bolivianë, në incidente midis qytetarëve të indinjuar dhe mbështetësve të ish-Presidentit Morales.

Më herët të mërkurën, Presidenti Luis Arce njoftoi se do të kryhej një operacion i përbashkët nga policia dhe ushtria për të hequr bllokadën e një rruge kryesore në pjesën qendrore të vendit, duke njoftuar se të tjerë do të pasonin.

Që nga 2 qershori, mbështetësit e Morales kanë bllokuar dhjetëra rrugë në shtetin e Andeve, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit në largim Arce, të cilin e akuzojnë si përgjegjës për krizën e thellë ekonomike të vendit, si dhe për manipulimin e gjyqësorit dhe autoriteteve zgjedhore me qëllim që udhëheqësi i tyre të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale më 17 gusht.