Anëtarët e komitetit të bursave ”Fulbright” japin dorëheqjen duke akuzuar Trumpin për ndërhyrje

Pothuajse të gjithë anëtarët e bordit të drejtorëve që mbikëqyr bursat prestigjioze ”Fulbright” dhanë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj asaj që ata e quajnë ndërhyrje të administratës Trump në përzgjedhjen e përfituesve për programin ndërkombëtar të shkëmbimit, shkruan AP.

Një deklaratë e postuar në internet nga anëtarët e bordit tha se administrata ka uzurpuar autoritetin e bordit duke u mohuar bursa “një numri të konsiderueshëm individësh” që ishin përzgjedhur tashmë për të studiuar dhe dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit.

”1 200 përfitues të tjerë të bursave të huaja, të cilët tashmë janë miratuar për të ardhur në Shtetet e Bashkuara, po kalojnë një proces të paautorizuar shqyrtimi që mund të çojë në refuzimin e tyre”, thanë anëtarët e bordit.

“Vazhdimi i shërbimit pasi administrata ka injoruar vazhdimisht kërkesën e bordit për të mbështetur ligjin do të rrezikonte legjitimimin e veprimeve që ne besojmë se janë të paligjshme dhe dëmtimin e integritetit të këtij programi historik dhe besueshmërinë e Amerikës jashtë vendit”, thekson deklarata e tyre.

Kongresi themeloi ”Programin Fulbright” gati 80 vjet më parë për të promovuar shkëmbimin ndërkombëtar dhe diplomacinë amerikane.

Programi shumë selektiv jep çdo vit gati 9 000 bursa në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 160 vende të tjera për studentë, studiues dhe profesionistë në një sërë fushash.