Rritja e tensioneve me Iranin, evakuohet pjesërisht ambasada në Irak! SHBA largon stafin ndihmës dhe familjarët
Për shkak të rritjes së kërcënimeve në rajon, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të largojnë një pjesë të stafit nga ambasada e tyre në Bagdad. Vendimi vjen mes tensioneve të shtuara me Iranin dhe paralajmërimeve për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak
SHBA ka urdhëruar largimin e menjëhershëm të stafit të ambasadës amerikane që ndodhet në Bagdad të Irakut.
Kryesisht punonjësit ndihmës dhe anëtarët e familjeve të tyre do të kthehen në shtëpi për shkak të rritjes së ndjeshme të kërcënimeve ndaj interesave amerikane në Irak dhe rajon.
Presidenti amerikan Donald Trump, duke folur nga Kennedy Center, konfirmoi gjithashtu se qytetarët amerikanë janë këshilluar të largohen nga rajoni.
“Mund të bëhet një vend i rrezikshëm. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi ai, duke nënvizuar se SHBA nuk do të lejojë që Irani të ndërtojë armë bërthamore.
“Nuk do ta lejojmë këtë. Kurrë”, tha Trump.
Sipas mediave amerikane, një nga arsyet është gatishmëria e mundshme e Izraelit për të ndërmarrë një operacion ushtarak kundër Iranit.
Kjo ka shtuar frikën se Irani mund të hakmerret ndaj objektivave amerikane në Irak dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thanë se evakuimi synon të mbrojë jetën e personelit në një moment tejet delikat diplomatik.
Tensionet janë rritur ndjeshëm ndërsa negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor iranian kanë hyrë në ngërç. Megjithatë, i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të takohet të dielën në Muskat me ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi, për të vijuar përpjekjet.
Këto zhvillime ndodhin pak ditë pasi Trump zhvilloi një bisedë 40-minutëshe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të cilën burime diplomatike e përshkruan si “të tensionuar”. Netanyahu ka kërkuar prej kohësh një qasje ushtarake ndaj Iranit, në vend të zgjidhjeve diplomatike.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka aprovuar gjithashtu largimin vullnetar të familjarëve të ushtarëve amerikanë nga disa vende të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Kuvajtin dhe Bahreinin.
Aktualisht, në Irak ndodhen rreth 2,500 trupa amerikane. Kujtojmë se në janar të vitit 2020, Irani qëlloi me raketa mbi baza ushtarake amerikane në Irak në përgjigje të vrasjes së komandantit iranian Qasem Soleimani.
Edhe pse nuk pati viktima të drejtpërdrejta, dhjetëra ushtarë amerikanë u diagnostikuan më vonë me trauma nga shpërthimet.

