Tentoi të parandalonte grabitjen e një pike karburanti, vr*tet polici në Itali

Një ngjarje tragjike ka tronditur këtë mëngjes qytetin e Francavilla Fontana, në provincën e Brindisit.

Rreth orës 7:00 të datës 12 qershor, brigadieri i karabinierëve Carlo Legrottaglie, 60 vjeç, është vrarë me armë zjarri gjatë një ndjekjeje policore në zonën rurale të quajtur "Contrada Rosea", pranë qendrës intermodale të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, Legrottaglie dhe kolegu i tij po patrullonin në kuadër të ndërhyrjes për të parandaluar një grabitje në një pikë karburanti, kur u përballën me një automjet tip Lancia Ypsilon.

Pas një ndjekjeje të shkurtër, automjeti i dyshuar u përplas me makinën e shërbimit të karabinierëve. Dy persona zbritën nga Lancia dhe njëri prej tyre hapi zjarr, duke qëlluar brigadierin Legrottaglie, i cili u rrëzua në asfalt i plagosur rëndë.

Autori dhe bashkëpunëtori i tij u larguan menjëherë në këmbë. Kolegu i Legrottaglie-s, i cili shpëtoi pa lëndime, dha menjëherë alarmin. Ndihma e shpejtë mbërriti në vendngjarje, por për karabinierin e plagosur nuk kishte më shpresë. Ai ndërroi jetë në vend.

Zona u rrethua menjëherë nga forcat e shumta të rendit, të cilat nisën kërkimin intensiv të autorëve, me mbështetjen e një helikopteri të forcave të sigurisë. Në vendngjarje ndodhen edhe komandanti provincial i Karabinierëve, Leonardo Acquaro, si dhe prokurori i çështjes, Raffaele Casto.

Brigadieri Carlo Legrottaglie ishte pjesë e njësisë së radiomobilit në Francavilla Fontana dhe jetonte në Ostuni me bashkëshorten dhe dy vajzat. Ai pritej të dilte në pension më 1 korrik të këtij viti.

Ngushëllime për vdekjen e tij shprehën shumë figura institucionale, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili shkroi në rrjetin X:

“Shpreh ngushëllimet më të thella për vdekjen tragjike të brigadierit Carlo Legrottaglie, një shërbëtor i shtetit, i vrarë në mënyrë të pabesë gjatë kryerjes së detyrës me guxim dhe përkushtim”.

Ministri i shprehu gjithashtu solidaritetin familjes, kolegëve të Armës dhe komandantit të përgjithshëm Salvatore Luongo, duke nënvizuar sakrificën e brigadierit për sigurinë e komunitetit.