ZHDUKJA E JAN PRENGËS/ Debate për pamjet filmike - SPAK përplaset me avokatin e Festim Bexhdilit në Apelin e GJKKO-së

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po mbahet seanca për rigjykimin e Festim Bexhdilin, i akuzuar në lidhje me vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e rëndë e ndodhur në janar të vitit 2020.

Avokati Ilir Murati, gjatë seancës së sotme, ka kërkuar rishikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë të paraqitura si prova kryesore në proces.

“Kemi konstatuar një gabim të organit procedues në interpretimin e pamjeve filmike,” deklaroi Murati para trupës gjykuese, duke theksuar se pamjet nuk e provojnë përfshirjen direkte të klientit të tij në rrëmbimin apo ekzekutimin e Jan Prengës.

ZHDUKJA E JAN PRENGËS/ Debate për pamjet filmike - SPAK përplaset

Rigjykimi në Apel zhvillohet, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që prishi dënimin me burgim të përjetshëm për Bexhdilin dhe e ktheu çështjen për shqyrtim të ri në Apel.

Në këtë seancë, Aldo Majnishta është shoqëruar në gjykatë për tu marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

Ai është përmendur nga Prokuroria e Posaçme si një nga personat që, së bashku me Bexhdilin, ka ndihmuar në zhdukjen e trupit të viktimës.

 “Na rezulton se Festim Bexhdili së bashku me Aldo Majnishtën kanë nxjerrë trupin nga bagazhi i një makine Mercedes dhe e kanë mbuluar me çarçaf në orën 18:12. Në orën 18:30, automjeti largohet nga garazhi i ‘Golden Resort’. Bexhdili është larguar me të tjerë dhe është kthyer sërish aty," tha Behar Dibra, prokuror i SPAK. 

Në mbrojtje të klientit të tij, avokati Ilir Murati ka kundërshtuar interpretimin e pamjeve filmike nga ana e prokurorisë.

 “Në asnjë moment nuk duket Festim Bexhdili duke kryer veprime. SPAK pretendon se ai ka kaluar viktimën nga një automjet në tjetrin. Kjo është ose një kqyrje e gabuar, ose me dashje e keqe.

Është totalisht e padrejtë. Këto qëndrime dua t’i mbaj publike. Do të kërkojmë ndoshta edhe ekspertë të pavarur për të verifikuar pamjet," tha Ilir Murati, avokat i Festim Bexhdilit.

DEBATET

Ilir Murati, avokati i Festim Bexhdilit: Në asnjë moment nga pamjet filmike, nuk duket Festim Bexhdili duke kryer veprime. SPAK thotë se Bexhdili ka zbritur viktimën nga njëra makinë në tjetrën.

Është ose gabim nga këqyrja ose me keqdashje. Ku thuhet nga SPAK se Bexhdili pasi e merr viktimën nga një automjet në tjetrin ikën bashkë me persona të tjerë, për ta zhdukur.

Është totalisht e padrejtë. Meqë çështja është me dyer të hapura, dua t’i mbaj publike këto qëndrime. Marrim ndoshta dhe specialist, ekspert për të vërtetuar pretendimet tona.

Gjykata administron provat e paraqitura nga mbrojtja.

Behar Dibra, Prokuror i SPAK: Na rezulton se Festin Bexhdili me Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i “Mercedez”-it dhe e mbulojnë me çarçaf.

Në orën 18:12, në 18:30, automjeti del nga garazhi i “Golden Resort”. Na rezulton se Bexhdili është larguar me të tjerët nga garazhi dhe është kthyer sërish aty.

Ilir Murati: Mund të thoni se e kemi këqyrur pa dashje gabim.