Dy orë leje për faljen e namazit/ Gurra: E premtja është më e rëndësishme se Bajrami në aspektin fetar

Të gjithë punëmarrësit e besimit mysliman mund të marrin dy orë pushim në drekë për të falur namazin e të xhumasë.

Në nismën e prezantuar këtë të martë nga deputeti demokrat, Lefter Gështenja, për punëdhënësit myslimanë kërkohet leje për faljen e vakteve të namazit, krijimi i hapësirave të faljes, si dhe dy orë pushim të premten e faljes së xhumasë.

Për të folur më tepër për këtë temë i ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

"Në fakt, parë në aspektin juridik, kushtetuesd në republikën tonë, kjo është e vonuar por jo nga qeveritë respektive.

Edhe pse e vonuar, më mirë vonë sesa kurrë. Ajo që duhet të nënvizojmë më tepër është çështja e të premtes, pra exhumasë, e kësaj hapësire kohore, për faljen e ritualit javor. Shtojca e detyrimeve të kompanive private apo dhe institucioneve publike për krijimin e hapësirave për besimtarët 50 më pak a më shumë, për faljet ditore është një çështje tjetër dhe mbetet dytësore.

E rëndësishme është çështja e të premtes, vlen këtu që edhe pjesa kohore ka vend për diskutime.

Së pari është çështja e ofrimit, e dhënies së kësaj të drejte sa fetare dhe kushtetuese e ligjore, të këtyre besimtarëve, apo qytetarëve mysliman të cilët dëshirojnë dhe prej vitesh nuk e kryejnë dot këtë ritual madhor.

E premtja është më lartë se bajrami në aspektin fetar", u shpreh Gurra.