DHURO GJAK, DHURO SHPRESË/ Blerta Ndrekaj: Një dhurim gjaku shpëton tre jetë njerëzish

14 Qershori është Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut dhe Blerta Ndrekaj, koordinatore e programit të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, tha në studion e lajmeve në “Ora News” se kjo ditë është një ditë falënderuese për dhuruesit e gjakut, që vijnë çdo ditë pranë njësive të Kryqit të Kuq për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Dhe më shumë se shpresa që kanë nevojë pacientët në dhurimin e gjakut nuk ka gjë më të madhe se kjo.

Nevojat për gjak janë tejet të larta, por ndërgjegjësimi i qytetarëve ka ardhur në rritje.

Kemi dhurues periodikë, por kemi dhe dhurues për herë të parë që janë afro 25 % e tyre.

Po ashtu dhurimi i gjakut ka përfitime për shëndetin e personit që e kryen si proces”, theksoi ajo.

Ndrekaj theksoi se i gjithë gjaku që dhurohet, zëvendësohet nga organizmi dhe është një proces i shëndetshëm.

Ajo tregoi se është vërtetuar se personat që dhurojnë periodikisht gjak preken më pak nga sëmundjet malinje në krahasim me njerëzit që nuk e bëjnë.