Eksperti: Ka akoma njerëz me çelësa në dorë që japin dhoma. 50 % e turizmit, në informalitet

Aspirata e Shqipërisë për të avancuar në rrugën e anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian do të varet edhe nga performanca e ekonomisë.

Për të kuptuar më shumë mbi situatën ekonomike të vendit në një intervistë për “Ora News” eksperti Klodian Muço u shpreh se janë 12 kapituj që prekin direkt apo indirekt sektorët ekonomikë të vendit.

“Por duhet të kuptojmë që një vend që aspiron të jetë vend i BE-së duhet të ketë të paktën të ardhurat për frymë sa 50 për qind e mesatares së BE-së. Që nënkupton që Shqipëria nëse synon për t’u bërë pjesë e BE-së duhet që të ketë të ardhura për frymë duhet që ne të kalojmë shifrën e 11.500 euro për frymë.

Në këtë aspekt na ka ndihmuar largimi në masë i shqiptarëve, ku dhe censusi na nxori se në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë dhe duke qenë se të ardhurat për frymë në PBB kanë ndikuar qoftë dhe në mënyrë fiktive ka ndikuar në rritje në një vlerë që shkon gati në 10 mijë sot.

Një nga sektorët prioritarë të ekonomisë që duhen që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së janë bujqësia dhe turizmi.

Në pjesën e turizmit me gjithë problematikat që kanë, duket se Shqipëria po performon shumë mirë, por nuk duhet harruar se ne kemi akoma në vitin 2025 nga ata personat që dalin me çelësat në dorë dhe t’i japin në rrugë, pra kemi një sektor që gati 50 % e tij funksionon në informalitet.

Ai që është shumë problematik është bujqësia dhe blegtoria. Rasti më i fundit është malaria që i ka prekur bagëtitë në tre vatra, kjo tregon se në çfarë situate dramatike është ky sektor, ku përveç reduktimit të numrit të përgjithshëm të krerëve kemi dhe një sëmundje të tillë ku protokolli i Bujqësisë nuk e ka që ky sektor të dëmshpërblehet apo financohet nga qeveria.

Kështu që Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes, pasi ka me të vërtetë nevojë për fonde për të bërë subvencionimin”, u shpreh eksperti Klodian Muço.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E EKONOMISË KLODIAN MUÇO