VIDEO/ Çfarë parashikohet të ndodhë? Ministrja Koçiu apel qytetarëve për mbrojtjen nga i nxehti: Shëndeti vjen i pari

Me rritjen e temperaturave gjatë stinës së verës, disa kategori të shoqërisë si fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatzëna apo të sëmurët me diagnoza kronike janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për goditje nga i nxehti, dehidratimi dhe probleme të tjera shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot përmes një mesazhi të Eugena Tominit, Drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, disa këshilla të vlefshme për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta që po na shoqërojnë këto ditë, ndërsa thekson faktin se “shëndeti vjen i pari”.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e ISHP-së shprehet se stina e verës, ditët e nxehta, temperaturat e larta por edhe disa elementë të tjerë si goditja nga i nxehti e bëjnë shumë të rëndësishme kujdesin për të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna gjatë sezonit të verës.

Tomini apelon që të eliminohen daljet në orët e pikut nga ora 11.00 deri në 18.00, si edhe të gjithë të sëmurët kronikë të ndjekin rekomandimit e mjekut të familjes dhe specialistit, për të evituar daljet sa më shumë në këtë orë.

“Të veshin rroba me ngjyrë të çelët, të pambukta dhe sa më lehtë. Të pimë ujë edhe nëse nuk kemi etje, sa më shumë lëngje gjatë kësaj stine. Nëse do duhet të parkoni makinën apo duhet të futeni në vende parkingu, nuk duhet t’i lini aty fëmijët e vegjël, si edhe moshën e rritur apo të tretë”, vijon Tomini.

Sipas Tominit, kujdes i shtuar duhet të tregohet edhe me ushqimet dhe zinxhirin e sigurisë ushqimore gjatë kësaj stine, ndërsa higjiena mbetet një tjetër faktor po kaq i rëndësishëm.

“Duhet të kemi kujdes për të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna, pasi kjo stinë sjellë edhe çrregullim të organizmit. Të kemi kujdes për veten dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin duke shijuar verën”, përfundon Tomini.