Festa e Kurban Bajramit, Blushi: Rruga drejt së mirës kërkon përkushtim dhe devotshmëri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Blushi uroi popullin shqiptar për festën e Kurban Bajramit, ndërsa tha në një prononcim për gazetarët se bashkë me drejtuesit e tjerë të Partisë së Lirisë, i përcollën sot urimet e rastit Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe nëpërmjet tij, urimet më të përzemërta të Presidentit Ilir Meta.

“Ju urojmë të gjithë besimtarëve, sa më shumë shëndet, lumturi, paqe dhe begati në familjet e tyre. Të mos harrojmë se Kurban Bajrami na kujton se pa sakrifica nuk ka begati dhe se rruga drejt së mirës kërkon, në radhë të parë, devotshmëri dhe përkushtim”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, u ndal edhe te një tjetër shqetësim siç e quan ai, çështjen e kthimit të pronave të Komunitetit Mysliman.

“Më lejoni që të shpreh edhe shqetësimin që edhe këtë vit, Komuniteti Mysliman edhe gjithë komunitetet e tjera fetare i gjen me një problem ende të pa zgjidhur që është çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të  komuniteteve, një problem i cili qëllimisht, sidomos këto vitet e fundit, është penguar. Megjithatë jam i bindur se Kurban Bajrami i ardhshëm do të na gjeje të gjithëve më mire”, përfundoi Blushi.