Gonxhja: 60 mijë të rinj shqiptarë përfitojnë nga “Garancia Rinore”

 

Të rinjtë po mbështeten për të hyrë në tregun e punës përmes programit të “Garancisë Rinore”, një qasje e re e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, se jemi përpara një iniciative të rëndësishme, që synon jo vetëm të adresojë sfidat e tregut të punës, por mbi të gjitha të krijojë mundësi të reja për rininë shqiptare.

“Programi operacional shumëvjeçar me BE-në për  punësimin e të rinjve për periudhën 2024-2027 financohet nga BE në kuadër të IPA III dhe është një përpjekje strategjike për të përmirësuar punësimin përmes modelit të Garancisë Rinore. Është në komponent kyç i Strategjisë Kombëtare të Punësimit, aftësive dhe strategjisë 2023-2030. Ky program synon që çdo i ri që është jashtë punës, arsimit apo formimit profesional, të përfitojë një ofertë të përshtatur punësimi, trajnimi apo rikthimi në arsim brenda katër muajve”, tha Gonxhja.

Ministri i MEKI-t pohoi se në vitin 2014, papunësia e të rinjve në Shqipëri ishte rreth 33%, ndërsa aktualisht papunësia e të rinjve që adreson programi është ulur në 19%, tregues i përmirësimeve të ndjeshme në politikat e tregut të punës. Por, sipas Gonxhes “numri i të rinjve që mbeten jashtë sistemit të punës apo arsimit është ende i lartë”.

“Që nga viti 2013, në Bashkimin Evropian janë angazhuar 50 milionë të rinj në kuadër të Garancinë Rinore, e më shumë se 3.5 milionë prej tyre kanë përfituar çdo vit një ofertë konkrete për punësim, trajnim apo arsim. Në total pritet që rreth 60 mijë të rinj të përfitojnë nga ky program, prej tyre 40 mijë të rinj do të mbështeten drejtpërdrejtë, ndërsa 20 mijë të rinj do të përfitojnë në mënyrë të tërthortë”, cilësoi Gonxhja.

Gonxhja tha se fokus tjetër është edhe mbështetja e grupeve vulnerabël, ata që janë në zonat rurale, apo që janë punëkërkues afatgjatë, por ende larg mundësive konkrete.

Ministri Gonxhja pohoi se MEKI  luan rolin kryesor këtë program, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Sportit si partnerë, MSHMS, Agjencinë Kombëtare të Rinisë, INSTAT, bashkitë dhe institucionet e tjera partnere.

“Regjistrimi kryhet përmes portaleve zyrtare që do të vihen në dispozicion dhe të rinjtë do të ndjekin një cikël mbështetjeje katër mujore sipas udhëzimeve të BE-së”, përfundoi Gonxhja.