Manja-opozitës: Mos e spostoni humbjen tek qytetarët, kthejeni thikën nga vetja
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili ishte edhe drejtues politik i Partisë Socialiste i qarkut të Lezhës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në fjalën e tij në Kuvend duke iu drejtuar opozitës tha se nuk duhet ta spostojë humbjen tek qytetarët.
Manja u distancua nga etiketimet e opozitës për “banditizëm”, duke theksuar se secila palë politike i pati të gjitha mundësitë dhe instrumentet që ta denonconte krimin zgjedhor.
“E mora fjalën për të përshëndetur qytetarët e Lezhës, Kurbin dhe Mirditës për qytetarinë e treguar më 11 maj, për shpirtin e garës, për maturinë edhe për qetësinë e treguar në këto zgjedhje. Distancohem në këtë sallë nga çdo person që insinuon dhe përpiqet që të etiketojë qytetarin e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës me banditë. Ka agjenci ligjzbatuese dhe institucione të cilat merren dhe të shmangësh, të merresh, të përpiqesh ta spostosh përgjegjësinë tek faktorë jashtë politike dhe që u përkasin agjencive dhe institucioneve të tjera, është vetëvrasje politike. Por me 11 maj secila palë i pati të gjitha mundësitë dhe instrumentet, të gjitha mekanizmat e duhur ligjor për t’i denoncuar banditët, për ta denoncuar krimin zgjedhor, institucionet aty ishin”, tha Manja.
Manja iu drejtua opozitës duke apeluar mos të përpiqen që humbjen ta spostojnë tek qytetarët. “Qytetarët me 11 maj bën detyrën votuan, bilbili ra, loja mbaroi, votat u numëruan dhe është rezultati që kemi”, u shpreh ai.
Sipas Manjës, edhe në bashkinë e Mirditës ku qeveris PD administrata bëri fushatë për PD-në, por “nga ne nuk e keni dëgjuar, nga unë që të ankohem për përfshirjen e burimeve njerëzore në fushatën elektorale”.
Manja theksoi se “secili qytetar është i lirë që pas orarit zyrtar të manifestojë hapur bindjet e tij politike në favor të njërës palë apo palës tjetër”.
Manja tha se banorët e qarkut të Lezhës “nuk meritojnë të etiketohen si qytetarë të identifikuara nga bandat”.
“PS ka nisur analizën e saj se jemi bërë gati për zgjedhjet e radhës lokale që na presin. Dhe ju kthejeni thikën nga vetja, bëni analizën tuaj, t’i reflektojmë dhe të gjitha ato që kanë të bëjnë me ligjin zgjedhor siç thotë dhe OSBE-ODIHR”, tha Manja.
