Fondi për Zhvillim i Abu Dhabi, 20 milionë dollarë për mbështetje buxhetore

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi, që siguron një hua prej 20 milionë dollarësh për mbështetjen e buxhetit të përgjithshëm të Shqipërisë.

Ky financim, sipas ministrit, do të shërbejë për qëndrueshmërinë ekonomike, mbështetjen e sektorëve prioritarë si arsimi dhe shëndetësia, si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjelbër.

Huaja me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi, ka normë interesi 4%, afat maturimi 15 vjet dhe përfshin një periudhë grace 3-vjeçare, ndërsa shoqërohet me një grant tjetër prej 20 milionë dollarësh, që ul normën efektive të interesit me 5.1%.

Projekti synon gjithashtu përshpejtimin e integrimit europian dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ratifikimi i huasë pritet të forcojë instrumentet financiare për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.