Rama: Shqipëria në krye të Europës për rritjen e flukseve turistike, plus 136% në krahasim me periudhën përpara C*vid
Shqipëria po ngjitet në fokusin e komunitetit ndërkombëtar si një shembull i suksesshëm në turizëm. Në takimin e 71-të të Komisionit Europian të UN Tourism, i zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, u publikuan të dhëna që nxjerrin Shqipërinë në krye të vendeve evropiane për rritjen më të madhe të vizitorëve. Fluksi turistik është rritur me 136% krahasuar me periudhën para pandemisë Covid-19.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, e përshkroi këtë rezultat si një provë të fortë të modelit shqiptar të turizmit, i cili mbështetet në zhvillimin e qëndrueshëm. Në këtë forum, Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota, duke ndarë përvojat dhe duke kontribuar në diskutimet që u reflektuan në Deklaratën e Bakusë, me theks të veçantë te turizmi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Rama theksoi se kjo njohje ndërkombëtare dëshmon potencialin e madh të Shqipërisë si një destinacion turistik në Evropë, me një zhvillim të shpejtë dhe të fokusuar në cilësi, si dhe në ruajtjen e pasurisë natyrore dhe kulturore të vendit.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike .
Raporti u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.
Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së #CEU si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.
