"Mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura!" KQZ rrëzon kërkesën e PD-së për hapjen e 43 kutive në Vlorë, do të verifikohen vetëm 4

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar sot kërkesën e Partisë Demokratike për të hapur 43 kuti votimi në Vlorë, por me kërkesë të vetë 2 anëtarëve, në këtë qark do të hapen e do të këqyren 4 kuti votimi.

Këto 4 kuti votimi i përkasin secila njërës prej bashkive: Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq.

Kutitë hapen vetëm për të verifikuar se sa fletë votimi janë të papërdorura, kur në sistem janë deklaruar 0 fletë të tilla nga komisionerët.

Partia Demokratike kërkoi hetim administrativ nga KQZ, duke pretenduar se mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit 2025. Sipas PD, diferenca mes fletëve të prodhuara dhe atyre të raportuara si të votuara, të papërdorura apo të dëmtuara nuk përputhet.