De Laurentiis–Conte, takim 3 orë e gjysmë pa vendim përfundimtar, palët kërkojnë kohë
Pas fitores së titullit të katërt kampion në histori, Napoli përjeton ditë emocionesh të forta.
Pasi festuan me tifozët në qytet dhe vizituan Papën në Romë, në qendër të vëmendjes kaloi takimi mes presidentit Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit Antonio Conte, i zhvilluar në rezidencën romake të presidentit dhe që zgjati rreth 3 orë e gjysmë.
Të pranishëm ishin gjithashtu drejtori sportiv Giovanni Manna dhe administratori i deleguar Andrea Chiavelli.
Takimi rezultoi pa vendime të menjëhershme. Palët kanë vendosur të marrin kohë për reflektim, ndërkohë që Conte u largua në makinë me bashkëshorten, Manna-n dhe djalin e presidentit, Edoardo De Laurentiis.
Gjatë darkës festive për titullin, presidenti u shpreh:
“I uroj Contes të ketë suksese të tjera në jetën e tij profesionale. Është një njeri që punon me përkushtim dhe meriton respekt. Faleminderit, Antonio.”
Presidenti është i vetëdijshëm për dëshirën e Contes për t’u larguar, me Juventusin që e pret, dhe ka kohë që po shqyrton alternativën Massimiliano Allegri, të cilin e vlerëson prej vitesh.
Gjithsesi, ai nuk dorëzohet dhe do të përpiqet ta bindë Conten të qëndrojë, siç do edhe shumica e lojtarëve që e kanë shprehur hapur vlerësimin për të.
Nëse ndarja ndodh, ajo nuk pritet të jetë e tensionuar, për shkak të respektit të ndërsjellë mes palëve. Madje, ka gjasa që mos ketë as kompensim financiar nga Napoli, siç ndodhi në rastin me Spallettin.
“Nuk detyroj askënd, kush nuk ndihet mirë në një ambient, duhet të largohet”, tha De Laurentiis.
Ndërkohë, kontaktet me Allegri janë rihapur. Napoli kërkon një emër të sigurt pas eksperiencës së dështuar me Rudi Garcia-n.
Për teknikun toskan është gati një kontratë dyvjeçare me 6 milionë euro në vit plus bonuse, me mundësinë e shtimit edhe të një viti të tretë sipas dëshirës së klubit.
