Alexander Arnold shpërthen në lot, emocionet në paradën e Liverpool-it para se të niset për në Spanjë

Trent Alexander-Arnold nuk mundi t’i mbante emocionet. “Djali” i Liverpoolit, pas 20 vitesh karrierë që nga akademia deri te skuadra e parë me fanellën e kuqe, shpërtheu në lot për të dytën ditë radhazi, teksa skuadra e trajnerit Arne Slot festonte titullin e 20-të të Premier League gjatë paradës me autobus të hapur në rrugët e qytetit.

Mbrojtësi i djathtë anglez, që pritet t’i bashkohet Real Madridit si lojtar i lirë, u ndie i prekur thellë gjatë festimeve të trofeut të dielën, sipas asaj që raportoi Daily Mail, pas ndeshjes së fundit të tij me fanellën e Liverpool-it.

Një cikël që përfundon, një trashëgimi që lë pas në Anfield dhe me shumë gjasa edhe një pjesë të zemrës së tij, duke shpjeguar kështu emocionet që e kapluan në ato momente të fundit.

Një episod prekës që kishte ndodhur edhe në ndeshjen e fundit të sezonit, kur pas ngritjes së trofeut të Premier League, TAA ishte parë teksa fshinte lotët me një shami, ndërsa ngushëllohej nga Mohamed Salah dhe Dominik Szoboszlai.

Megjithëse Alexander-Arnold mori një përshëndetje të ngrohtë në përballjen e fundit, largimi i tij si lojtar i lirë ka shkaktuar edhe zemërim te disa tifozë, aq sa është fishkëllyer në ndeshjen kundër Arsenalit në fillim të muajit.

Një fund emocionues për një epokë të artë me Liverpoolin, ndërsa një faqe e re pritet të hapet për të në Spanjë.