Napoli pritet nga Papa Leone XIV në Vatikan: Thonë që jam tifoz i Romës, por ju jeni të mirëpritur
Pas fitimit të titullit kampion të Italisë, skuadra e Napolit ka marrë një nderim të veçantë këtë të martë: një audiencë private me Papa Leone XIV në Vatikan.
Dy autobusë të bardhë, që transportonin lojtarët dhe stafin teknik, mbërritën në Portën e Peruginos, pasi ekipi kishte udhëtuar nga Napoli në Romë me tren.
Antonio Conte dhe futbollistët u pritën me ngrohtësi nga Ati i Shenjtë, i cili nuk i kurseu batutat në fillim të takimit:
“Ndoshta nuk donit të duartrokisnit sepse shtypi thotë që unë jam tifoz i Romës”, tha Papa me humor. “Por mirë se erdhët, jo gjithçka që thotë shtypi është e vërtetë...”
Papa Leone XIV mbajti më pas një fjalim domethënës mbi rëndësinë e suksesit kolektiv dhe vlerat e vërteta të sportit:
“Fitimi i kampionatit është një arritje që vjen pas një rruge të gjatë.
Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është shpërthimi i një ndeshjeje apo performanca e jashtëzakonshme e një ‘ylli’, por fitorja e ekipit.
Kur them ‘ekip’, nuk nënkuptoj vetëm lojtarët, por edhe trajnerin, stafin dhe gjithë klubin.
Jam i lumtur që ju pres sot, për të theksuar pikërisht këtë aspekt të suksesit tuaj, që e konsideroj më të rëndësishmin.”
Gjatë fjalës së tij, Papa ndaloi edhe te sfidat që i kanosen sportit modern, sidomos tek komercializimi i tepruar:
“Fatkeqësisht, kur sporti bëhet biznes, rrezikon të humbasë vlerat që e bëjnë edukativ dhe madje mund të kthehet në diçka anti-edukative.
Kjo kërkon vëmendje, veçanërisht kur kemi të bëjmë me adoleshentë.
U bëj apel prindërve dhe drejtuesve sportivë: duhet pasur kujdes për cilësinë morale të përvojës sportive në nivel garues, sepse aty është në lojë rritja njerëzore e të rinjve.
Mendoj se jemi kuptuar, s’ka nevojë për shumë fjalë.”
Takimi u mbyll me përshëndetje, foto zyrtare dhe dhurata simbolike mes Napolit dhe Papës. Një moment historik për klubin që po kurorëzon një sezon të paharrueshëm.
