Nainggolan, mes futbollit dhe vesit: Të enjten s’kisha kontroll, në kazino humba 200 mijë euro në një natë

I njohur për stilin e tij luftarak në fushë dhe jetën ekstravagante jashtë saj, Radja Nainggolan ka bërë një rrëfim të sinqertë për të kaluarën e tij, ku futbolli dhe jeta e shthurur shkonin paralelisht.

Ish-mesfushori i Piacenza-s, Cagliari-t, Romës dhe Interit, gjatë një interviste për “Le Iene”, tregoi se dita e tij e preferuar ishte e enjtja:

“Isha gjithmonë jashtë, ishte nata e hip-hopit. Ishte nata ime, s’kishte limite. Të premten mezi çohesha në stërvitje, të shtunën luanim.

Të martën dilja për të kërcyer, të mërkurën rrija në playstation, të dielën pushoja, të hënën shkonim në grumbullim, të martën luanim Champions”.

Nainggolan rrëfeu edhe një ngjarje nga periudha kur ishte te Roma, nën urdhrat e Spalletti-t:

“Ishim në dhomën e Totti-t, unë, Pjanic dhe Manolas, duke luajtur bixhoz deri pas mesnate. Kur dolëm, Spalletti ishte i shtrirë në korridor, duke fjetur.

Kur u përpoqëm të kalonim pa zhurmë, u zgjua dhe na tha: ‘Ku dreqin po shkoni?!’. Të nesërmen, la në stol Totti-n dhe Pjanic-in”.

Një tjetër rrëfim tronditës ishte ai për varësinë ndaj bixhozit:

“Në kazino humba 200 mijë euro në një natë. Nuk ishte për para, por për adrenalinë. Pastaj prisja rrogën e muajit tjetër për të rikuperuar. Kam vënë bast edhe në faqe të paligjshme”, u shpreh ai.

Nainggolan foli edhe për arrestimin në janar për lidhje të dyshuara me trafikun e drogës:

“Jam kundër drogës, por më përshkruan si Escobar. Kisha një shoqëri me Nasr-Eddine Sekkaki, vëllai i një trafikanti të njohur, por komunikimi ynë ishte për borxhe personale, jo për drogë.

Nuk jam përgjegjës për jetën e tij”, tha ai duke sqaruar pozicionin e vet.

Një jetë e ndarë mes talentit në fushë dhe trazirave jashtë saj, Nainggolan mbetet një nga personazhet më kontroverse të futbollit modern.