LËVIZJE DHE TE JUVENTUS! Bisedime për trajnerin dhe drejtuesit e pankinës

Juventus ka nisur lëvizje të forta për të plotësuar pankinën. Pas kualifikimit në zonën Champions, cështja e trajnerit mbetet në plan të parë, ku nuk përjashtohet as Tuddor e as Konte

Brenda pak orësh, Juventusi ka kaluar nga siguria për një vend në Champions League, në një stuhi vendimesh të rëndësishme për të ardhmen e klubit: që nga trajneri i sezonit të ardhshëm e deri te ndryshimet në strukturën drejtuese.

Në qendër të këtyre zhvillimeve janë dy emra të mëdhenj: Antonio Conte dhe Damien Comolli.

Pas tensioneve dhe paqartësive të krijuara pas deklaratave të kundërta të Cristiano Giuntolit dhe trajnerit aktual Igor Tudor rreth pjesëmarrjes në Botërorin e Klubeve, situata është qetësuar në ambientet e klubit.

Kroati Tudor, i cili arriti të sigurojë vendin e katërt në Serie A, ka marrë vlerësime për punën e tij dhe është siguruar se nëse nuk finalizohet opsioni i parë për pankinën, ai mbetet një kandidat serioz për të vazhduar.

Megjithatë, "sekreti" më i hapur në Torino është pikërisht emri i Antonio Contes, që shihet si njeriu i rilindjes së bardhezinjve. Juventusi beson se “metoda Conte” mund t’i rikthejë identitetin dhe disiplinën që klubi ka humbur mes revolucioneve të fundit. Por Conte ka ende dy vite kontratë me Napolin, dhe ndonëse marrëdhënia me presidentin De Laurentiis mbetet e mirë, nuk priten “favorsime” për ta liruar nga kontrata.

Gjatë festimeve të Napolit, disa lojtarë, përfshirë Romelu Lukakun, dhe anëtarë të stafit si Gabriele Oriali, kanë tentuar ta bindin Conten të qëndrojë.

Ndërkohë, në prapaskenë është përgatitur edhe afrimi i Damien Comollit, president aktual i Toulouse dhe ish-drejtues i klubeve si Arsenal, Liverpool, Tottenham dhe Fenerbahçe. Me një profil teknik të gjerë dhe reputacion ndërkombëtar, ai është njohur si “zbuluesi i Modric” pasi e solli kroatin te Tottenham në fillimet e tij.

Pas një tentimi të dështuar nga Milani verën e kaluar, këtë herë duket se Comolli ka kaluar të gjitha filtrat për t’u bërë pjesë e bordit drejtues të Juventusit. Zyrtarizimi i tij pritet të ndodhë në ditët në vijim dhe shihet si një hap i rëndësishëm në rindërtimin e strukturave të klubit.

Me shumë faktorë ende në lëvizje — që nga lirimi i Contes, vendimi për Tudor, e deri te e ardhmja e Max Allegrit, i lidhur gjithnjë e më shumë me Interin në rast të një largimi të Simone Inzaghit — përfundimi i këtyre çështjeve pritet të ndodhë pas finales së Champions League më 31 maj në Mynih.