Papa Françesku në ishullin e refugjatëve, dënon "indiferencën globale"

Papa Françesku ka dënuar "indiferencën globale" për gjëndjen e emigrantëve në ishullin e vogël të Lampeduzës në Siçili. Papa i ri sapo arriti në ishull hodhi një kurorë me lule në det në kujtesën e shumë njerëzve që janë mbytur duke u përpjekur për të arritur në Evropë.Papa Françesku tha se për të, humbja e këtyre jetëve është një gjemb në zemër dhe se dëshiroi të bënte këtë vizitë për të zgjuar ndërgjegjet në mënyrë që tragjeditë të mos përsëriten më.Ati i selisë së Vatikanit mbajti në praninë e dhjetë mijë personave një meshë, për viktimat e mbytur në det, ndërsa ai falenderoi banorët që kanë mirëpritur për vite me radhë emigrantët nga Afrika. Papa Bergoglio qe i veshur me vjollcë, që në liturgjinë katolike është ngjyra e pendesës dhe zisë.Mediat raportojnë se gjatë mbërritjes së tij një grup prej 166 emigrantesh nga Afrika kishin mbërritur me nje varke në ishull. Shënjtëria e Tij përshëndeti edhe muslimanët e shumtë që ndodhen në ishull si refugjatë dhe u uroi atyre fillimin e Ramazanit.Lampeduza, një rrip ishulli prej 9 kilometrash, është kthyer në pikën ku mbërrijnë mijëra refugjatë të paligjshëm nga Afrika të cilët largohen nga vëndet e tyre për shkak të luftrave dhe trazirave.Vetë Papa i ka patur prindërit emigrantë nga Italia që shkuan në Argjentinë dhe historikisht ai ka pasur një lidhje të veçantë me emigrantët dhe refugjatët. Shpesh herë kur ai ishte Arkiepishkop i Buenos Ajres, ka dënuar ashpër shfrytëzimin e emigrantëve si një formë skllavërie dhe ata që nuk bëjnë asgjë për ta i ka cilësuar si bashkëfajtorë përmes heshtjes së tyre.