Kulla: Një sistem zgjedhor që mbron humbësin dhe nuk e lejon fituesin që të fitojë më thellë
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", Ilir Kulla komentoi sistemin zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar se ai favorizon humbësin dhe nuk lejon një fitore të thellë për fituesin.
" Unë që e njoh mirë sistemin zgjedhor dhe hartën zgjedhore të Shqipërisë mund ta përcaktoj që në qoftë se do të kishim një kohë tjetër zgjedhore dhe do ishim në një mazhoritar të përzier siç kemi qenë deri para 2008, marrëveshjes së famshme Berisha-Rama, sot rezultati zgjedhor mund të ishte dhe 110 me 30 apo dhe 100 me 40.
Ky është një sistem zgjedhor që mbron humbësin nga humbja e thellë dhe nuk e lejon fituesin që të fitojë akoma më thellë.
Njerëzit nuk e njohin sistemin zgjedhor të Shqipërisë, e kanë totalisht të paqartë. Flasin broçkulla, kam dëgjuar gjatë gjithë fushatës.
Historikisht zoti Ylli Ndroqi ka pasur këtu një kompani të mirë sondazhesh, e cila ndër vite ka gjetur rezultatin në kokë pasi njihte dhe sistemin zgjedhor.
Pa njohur sistemin zgjedhor në Shqipëri dhe pa njohur hartën zgjedhore të Shqipërisë është e pamundur të japësh përcaktimin", u shpreh Kulla.
