Kume: Vëzhguesit e patrajnuar po krijojnë tensione dhe keqkuptime në procesin zgjedhor

Një tjetër situatë e tensionuar raportohet në KZAZ nr. 36 në njësinë 5 në Tiranë, ku përfaqësuesit e Partisë “Lëvizjes Bashkë” të Arlind Qorit kontestuan pavlefshmërinë e disa fletëve votimi ndërsa janë përplasur edhe me anëtarët e grupeve të numërimit të votave.

Për të folur më tepër rreth kësaj situate, i ftuar nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte Kristaq Kume i cili theksoi se sjellja e vëzhguesve të patrajnuar, të cilët nuk e njohin rolin dhe kufizimet e tyre ligjore, po shkakton tensione të panevojshme.

" E rëndësishme për mua është ajo që i është thënë vëzhguesit, që për mua është vëzhgues i patrajnuar, vëzhgues që nuk e njeh se cilat janë të drejtat dhe detyrat e tij dhe krijon atë situatë që për mua është një situatë që nuk prodhon gjë veçse efekte negative.

Është mirë e shkruajtur në Kodin Zgjedhor se cilat janë të drejtat dhe detyrat e vëzhguesit, qoftë vëzhguesit partiak qoftë dhe vëzhgues të pavarur.

Filmime në qëndrat e votimit, në vendet e numërimit të votave nuk bëhen, as fotografi nuk bëhen nga vëzhguesit. 

Është e drejtë vetëm e mediave për të filmuar. Ashtu sikurse vëzhguesi ka të drejtën e plotë në qoftë se pretendon, i vihet në dispozicion gjithçka që është e regjistruar online gjatë gjithë kohës pa ndërprerje, nga pajisjet e vendosura nga administrata zgjedhore, nga KQZ-ja, të tjerat për mua janë e tepërta", u shpreh Kume.