Pas përplasjes së Nokës me “qytetarët”, KQZ revokon akreditimin e të gjithë vëzhguesve në Vorë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur të revokojë akreditimin e të gjithë vëzhguesve të akredituar pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 27 në Bashkinë Vorë, Qarku Tiranë, për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.

Vendimi i marrë në orën 15:00 të ditës së sotme përfshin të gjithë vëzhguesit, qofshin ata të partive politike, organizatave vendore apo ndërkombëtare, duke u ndaluar të ushtrojnë më funksionin e tyre mbikëqyrës në këtë zonë zgjedhore.

Në vendimin zyrtar nuk jepet ndonjë arsye konkrete për këtë masë të pazakontë, por burime të ndryshme nënvizojnë se një veprim i tillë marrë zakonisht në raste të rënda, kur cenohen rregullat e zgjedhjeve ose garancia për zhvillimin e procesit në mënyrë të rregullt dhe të qetë.

Sipas KQZ-së, vendimi hyn menjëherë në fuqi, ndërsa palët e interesuara kanë të drejtën ta ankimojnë atë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda tre ditëve nga shpallja.

Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi ecurinë e mëtejshme të procesit në këtë zonë dhe integritetin e mbikëqyrjes zgjedhore në tërësi.

Pas përplasjes së Nokës me “qytetarët”, KQZ